Miodra Lekic, mandatar për formimin e qeverisë së re në Mal të Zi

Kryetari dhe deputeti i “Aleances Demokratike (DEMOS)” Miodrag Lekic, mori të enjten nga Parlamenti i Malit të Zi, mandatin për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, disa muaj pas rrëzimit të qeverisë së Dritan Abazoviq.

Kryetarja e Kuvendit të MZ, Danijela Gjurovic, gjatë seancës njoftoi se meqenëse Presidenti i MZ, nuk e ka propozuar mandatarin, me këtë lrast janë plotësuar kushtet nga neni 7 i ndryshimit të Ligjit për Presidentin dhe konstatoi se Miodrag Lekic është mandatar për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi.

Miodrag Lekic është profesor, politikan dhe ka shërbyer si diplomat i ish-Jugosllavisë në Mozambik dhe Lesoto. Po ashtu, shërbeu edhe në Itali, Maltë dhe San Marino.

Ai ka qenë kryetar i ‘Frontit Demokratik’ nga viti 2012 deri në mars 2015, ndërsa nga viti 2015 është kryetar i partisë “Aleanca Demokratike (DEMOS)” dhe deputet i saj.

Parlamenti malazez, më 20 gusht, votoi pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Dritan Abazoviq.

Malesia.org