Shoqatat malësore në New York, përkrahin subjektin politik shqiptar të bashkuar që Komunën do ta administrojë shqip


Shoqata “Malësia e Madhe” dhe Fondi Humanitar “Trieshi” në New York janë deklaruar se  përkrahin një koalicion të zgjeruar ose subjektin politik shqiptar të bashkuar që Komunën do ta administrojë shqip.

Lexo deklaratën e plotë:

Komuniteti malësor i New Yorkut, nën udhëheqjen e Shoqatës “Malësia e Madhe” dhe Fondit Humanitar “Trieshi” mbajti në datën 18 Janar një takim kushtuar zgjedhjeve lokale, që do të mbahen në Malësi në datën 5 Mars.

Pjesëmarrësit iu përgjigjen masivisht ftesës, duke shfaqur entuziazëm dhe gatishmëri të plotë për të mbështetur përgjatë procesit zgjedhor koalicionin “Forumi Shqiptar”, si faktor shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendlindjes sonë.

Në kuadër të kësaj dëshirojmë të bëjmë të ditur se Diaspora përpos interesave të pastra kombëtare, nuk ka ndonjë pretendim tjetër. Gjithashtu  dëshirojmë të deklarojmë se ne nuk përkrahim ndonjë parti, grup apo person në veçanti. Ne synojmë dhe përkrahim një koalicion të zgjeruar ose subjektin politik shqiptar të bashkuar që Komunën do ta administrojë shqip.

Po ashtu ju drejtohemi autoriteteve kompetente që udhëheqin këtë koalicion, duke iu kërkuar që të zhvillojnë një fushatë të denjë,  pa ofendime dhe sjellje, që nuk i shërbejnë çështjes kombëtare.

Andaj, duke u bazuar në parimet tona, si dhe duke patur parasysh punën katër-vjeçare të administratës aktuale dhe mbështetjes së gjerë të të pranishmëve, koalicioni “Forumi Shqiptar”, fitoi përkrahjen e Diasporës së New York-ut për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Diaspora bën gjithashtu me dije se do të marrë pjesë gjerësisht në këto zgjedhje.

NA U PRIFT E MBARA!

Shoqata “Malësia e Madhe”
Fondi Humanitar “Trieshi”

New York