Kryetari i Alternativës Shqiptare dhe komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, tha se sot janë parë qartë qëndrimet e disa partive për integrimin evropian, zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimin ndaj popullit shqiptar.
Ai ka reaguar pasi kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese shqiptari Faruk Resulbegoviq, nuk ka marrë mbështetjen.
“Në mendjet e disa partive dhe deputetëve duket se ende mbretëron histeria antishqiptare e viteve ’90. Sot, Kuvendi i Malit të Zi, përkundër thirrjeve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe partnerëve euroatlantikë, nuk mundi t’i zgjedhë të katër gjyqtarët, sepse DPS dhe PB nuk e votuan kandidatin e katërt, z. Resulbegoviq, vetëm pse është shqiptar” , tha Gjeloshaj.
Për PDS-në dhe Partinë Boshnjake ishte e pamendueshme që gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të ishte shqiptar.
“Ky lloj aktiviteti antishqiptar i DPS-së nuk është gjë e re, sepse ata ishin gjithmonë në krye që shqiptarët të mos jenë në institucione, prandaj sot ju dhëmb kjo prani kaq e madhe dhe tregues se kudo që të vendosin ata do të jemi të padëshiruar”, tha Gjeloshaj.