Fadil Kajoshaj zgjidhet kryetar i Kuvendit të komunës së Tuzit

Në seancën konstitutive të Kuvendit të komunës së Tuzit, të mbajtur sot, Fadil Kajoshaj u zgjodh Kryetar i Kuvendit.

Për Kajoshaj votuan 21 këshilltarë; 18 nga Forumi Shqiptar, këshilltari i Demokrateve Shtjefen Camaj, këshilltari i Partisë Boshnjake Adnan Pepiq si dhe këshilltari i Levizjes per Tuz, Husein Gjokoviq, kurse këshilltarët e DPS-së, UDSH-së dhe SD-së, nuk morën pjesë në votim.

Seancën e udhëhoqi këshilltari më i vjetër Smail Maliq Çunmulaj.

Në zgjedhjet e 5 marsit Forumi Shqiptar (ASH-LDSH-UNSH), fitoi 18 këshilltarë, që nënkupton se ka shumicën absolute në Kuvendit e Komunës së Tuzit.

Shumicës pritet t’i bashkohet edhe këshilltari i Demokratëve Shtjefen Camaj dhe këshilltari i Partisë Boshnjake, Adnan Pepiq.

Në opozitë pritet të mbesin DPS-ja me 4 këshilltarë, Partia Boshnjake 3 këshilltarë, UDSH-ja 3 këshilltarë, SD dhe Lëvizja për Tuz me nga 1 këshilltar.

Siç pohohet Kryetari i komunës së Tuzit do të zgjedhet në seancën e radhës dhe do të jetë nga radhët e Forumit Shqiptar.

MALESIA.ORG