Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi dhe lideri i SNP-së, Vladimir Jokoviq, pas votës së Malit të Zi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka reaguar dhe ka deklaruar se ai nuk e përkrahë këtë vendim dhe se ministrat e partisë së tij, nuk do të kishin votuar pro anëtarësimit të Kosovës në KE.
Edhe disa liderë të partive të shumicës parlamentare e kanë kritikuar ashpër këtë vendim të Qeverisë teknike të Dritan Abazoviqit.
Ata po e akuzojnë Qeverinë se po e vazhdon politikën e Millo Gjukanviqit.
Nga 46 shtete sa ka Këshilli i Evropës, 33 votuan për ta dërguar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë tek Asambleja e saj Parlamentare. Për t’u bërë anëtare e plotë duhen, po ashtu, dy të tretat e votave.
Nga 46 vende, vetëm Armenia nuk mori pjesë në votim ndërsa 33 vende votuan pro, 7 votuan kundër, ndërsa abstenuan 5 vende.
Vendet që votuan kundër janë kryesisht vende që nuk e njohin as pavarësinë e Kosovës.
Azerbejxhani, Qipro, Gjeorgjia, Hungaria, Rumania, Serbia dhe Spanja votuan kundër Kosovës.
Hungaria është ne mesin e vendeve të cilat votuan kundër anëtarësimit të Kosovës, edhe pse pavarësinë e Kosovës e ka njohur që nga viti 2008.
/MALESIA.ORG/