Mjeku popullor dhe humanisti i njohur nga Malësia, Nikollë Doka Berishaj, është ndarë nga jeta mbrëmë, në moshën 84 vjeçare.
Nikollë Doka, merrej me medicinën alternative të ortopedisë, gjegjësisht ua kthente në vend gjymtyrët e zhvendosura pacientëve të cilët pësonin lëndime, dhe jo vetëm lëndime të zhvendosjes së gjymtyrëve, por edhe në raste më të rënda si thyerje të eshtrave.
Ai për dekada të tëra, me mjeshtërinë e tij ndihmoi njerëzit nga Malësia dhe më gjerë.
Nikollë Doka nuk kishte ndonjë ordinancë dhe as orar pune. Shtëpia e tij ishte e hapur 24 orë në ditë, 7 ditët e javës, për çdonjërin i cili kishte nevojën e tij, dhe e gjitha kjo falas.
Përndryshe, me profesion ishte mësues.
Me këtë rast, familjes Berishaj i shprehim ngushëllime të sinqerta, ndërsa Nikollë Doka, i cili do t’i mungojë Malësisë, pushoftë në paqë.
/MALESIA.ORG/