Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, është kërcënuar nga Binali Camgoz, shtetas turk i cili është arrestuar në Podgoricë në vitin 2022 dhe është në pritje të ekstradimit në Turqi.
Gazeta Vijesti shkruan se Dukaj u premtoi miqve të tij nga Kosova dhe Shqipëria se do të pyeste në Ministrinë e Brendshme për mundësinë që Binali Camgoz të merrte ligjërisht azil në Mal të Zi.
Por në momentin kur kjo nuk ndodhi, shtetasi turk i akuzuar për krime të rënda e kërcënoi atë përmes anëtarëve të klanit kriminal Kavaç.
Camgoz dyshohet se është në krye të një rrjeti të madh kriminal, ndërsa shteti i Turqisë ka kërkuar nga Mali i Zi që të ekstradohet.
“Unë ia kam bërë të qartë atij mikut tim se nuk jam përgjegjës për këto çështje, por i kam premtuar se do të kontaktoj me miqtë e mi nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe do të pyes për mundësitë ligjore që të jepet azili”, ka deklaruar Dukaj në deklarimet e dhëna përpara inspektorëve.
Dukaj ka refuzuar t’u tregojë inspektorëve se kush ishte shoku i tij nga Kosova që e lidhi me njerëzit e mafiozit turk.
Sipas informacioneve të “Vijesti”, ai është marrë në pyetje në fund të korrikut 2023, pasi Departamenti i Policisë Speciale (SPO) dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB) kanë marrë informacione se Camgoz po e kërcënonte seriozisht për një premtim të pambajtur.
Ministri i tha inspektorit se nuk i kishte premtuar ndihmë të dënuarit turk, por kishte frikë për jetën e tij pasi ishte i sigurt se Indrit Koleshi, me të cilin kishte biseduar për Camgozin, e kishte bërë këtë gjë në emër tij.
Binal Camgoz i tha një anëtari të lartë të klanit të Kavaçit se nuk e mbajta premtimin ndaj tij, prandaj duhet të më dërgonte një mesazh të fortë.