Pas takimit me Putinin dhe Llukashenkon, Dodik takon Mandiqin në Podgoricë

Presidenti i Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik viziton Podgoricën dhe takon Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiqin.

Dodik para disa ditësh takoi presidentin e Rusisë, Vlladimir Putin dhe atë të Bjellorusisë Alleksander Lukashenka.

Dodik është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ndërkaq cilësohet për politika serbomadhe dhe anti-perëndimore.

Në takimin me Putinin, Dodiku tha se “Republika Serpska mbetet proruse, antiperëndimore dhe antiamerikane”.

Krye-parlamentari Mandiq tha se kishin pasur bisedime shumë të rëndësishme.

“Kemi pasur bisedime shumë të rëndësishme, përveç që jam kryetar i Kuvendit, unë jam edhe kryetar i NSD-së, dhe NSD dhe SNSD janë parti simotra. Të dyja janë parti serbe, e jona është e mbështetur nga populli serb dhe marrëdhëniet tona janë më të mira të mundshme”, tha Mandiq.

Ardhja e Millorad Dodik në Podgoricë është shenjë e qartë se Mali i Zi po bëhët promotor i politikës ruse në Ballkan, tha Kenana Strujiq – Harbiq, deputete e Partisë Boshnjake. Ajo në kumtesë për media tha se pas Rusisë dhe Bjellorusisë dhe presidentëve të këtyre vendeve, Vlladimir Putin dhe Aleksandar Llukashenko, Dodik do të takohet me kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiq në Podgoricë.

Sipas fjalëve të saj, Mali i Zi po bëhet strehë për politikat dhe politikanët që janë përfaqësues të politikës ruse në Ballkan dhe që kanë aspirata të pafshehta për të shpërbërë Bosnjë Hercegovinën unike.

Një grup qytetarësh protestuan para ndërtesës së Kuvendit të Malit të Zi, kundër vizitës së Millorad Dodik, në Mal të Zi.  Qytetarët e grumbulluar e priten Dodikun me fërshëllima derisa po hynte në Kuvend, i cili iu përgjigj me tre gishta të ngritur.

/MALESIA.ORG/