Përmendorja e krye-heroit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut do të përurohet më 28 Nëntor në Ditën e Flamurit në sheshin e ri në Tuz, ka njoftuar Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
Gjeloshaj gjithashtu ka thënë se sheshi i ri në Tuz do të mbajë emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ku dhe do të përurohet përmendorja.
“Sipas vendimeve të komunës së Tuzit nga korriku i vitit të kaluar dhe përfundimit të rrugëve rreth sheshit të ri të Malësisë, po afron dita që sheshi i ri së shpejti të mbajë emrin e Gjergj Kastriot-Skënderbeut dhe të vendoset përmendorja e tij në këtë shesh.
Tashmë këshilli organizativ për ndërtimin e përmendores po zyrtarizohet për të përfunduar aspektin financiar të lartësimit të përmendores në mënyrë që me punë të përbashkët dhe me angazhim të përkushtuar që të perurojmë përmendorën e Skënderbeut më 28 Nëntor në Ditën e Flamurit.” në mes tjerash ka shkruar Nik Gjeloshaj.
Rikujtojmë se ngritja e përmendores së krye-heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në kryeqendrën e Malësisë, në Tuz është premtim shumëvjeçar i cili ka vazhduar të zvarritet nga viti në vit. Ish-kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, në vitin 2021 kishte deklaruar se përmendorja do të realizohet në vitin 2022, pastaj në vitin 2023.
Kryetari aktual Lindon Gjelaj, javën e kaluar, për portalin tonë kishte deklaruar se gjithçka është duke shkuar siç duhet dhe se beson se përmendorja do të realizohet gjatë këtij viti.
/MALESIA.ORG/