Te shqiptarët kush është më me rëndësi, kombi apo feja?

Shkruan: Haxhi Zeneli

Që nga fillimet e para të njeriut, besimi në një formë apo tjetër ka qenë në praninë e njeriut.
Thuhet se ekzistojnë rreth 10,000 fe të ndryshme në planetin tonë, por më të përhapurat janë: krishterimi, islamizmi, hinduizmi dhe budizmi dhe thuhet se më shumë se 70% të besimtarëve i takojnë këtyre besimeve. Shumica e këtyre besimeve janë fe të organizuara, e këtu patjetër që bëjnë pjesë edhe fetë abrahamike si: krishterimi, islamizmi dhe judaizmi.


Ngaqë shqiptarët besojnë në disa besime fetare, kurioziteti është se sa ka ndikuar feja në unifikimin e kombit tonë në të kaluarën e deri më sot? Shqiptarët kur flasin për këto tema, kanë opinione të ndryshme, por kemi vërejtur se secili nga ne mundohemi t’iu ikim këtyre temave, ku ende edhe sot kanë mbetur si tema tabu.


Feja dhe besimi janë dy gjëra të ndryshme. Me besim nënkuptojmë dashuri, përafrim, bashkim me njëri-tjetrin, pa marrë parasysh se çfarë feje ka dikush, kurse feja është diçka që ka krijuar ndasi, kufij, ka ndërtuar mure, largim nga njëri-tjetri. Feja është një organizim politik, që në heshtje ka nxitur ndarjet tona, në teori thuhet se kjo nuk është kështu, por për fat të keq kjo ekziston në praktikë.


Gjysma e kombit tonë sot është e shpërndarë në shumë vende të botës, por ne kudo që shkojmë, mundohemi ta ruajmë kombin me të gjitha format dhe mundësitë që kemi, edhe pse kjo është një gjë shumë e vështirë dhe kudo që jemi vendosur, feja ka qenë në prapavijë e cila është munduar të na ruajë që mos të përzihemi me kombet tjera, kjo deri këtu është në rregull. Por në anën tjetër, ka pasur një efekt negativ edhe te vetë shqiptarët, një efekt që vazhdon ende edhe sot të na ndjekë pas.

Që nga koha kur shqiptarët u ndanë në besimet fetare, feja ka qenë si pengesë në unifikimin tonë ndërfetar, që nënkupton se këto besime si prioritet në shumicën e rasteve kanë pasur për bazë fenë, si në vendlindje ashtu edhe në mërgim. Edhe pse te ne shqiptarët ekziston një mburrje kombëtare, duke u thirrur në një tolerancë fetare, por sa është kjo e vërtetë?

Te shumica e shqiptarëve ka mbizotëruar ndjenja fetare mbi atë kombëtare dhe kjo ende edhe sot është prezente te ne, sepse nëse analizojmë mirë këtë fenomen, kur janë në pyetje martesat tona ndërfetare, përqindja është shumë e ulët. Kjo tregon që shumica e shqiptarëve preferojnë të martohen me fenë e tyre të trashëguar, kështu që kombi renditet në vend të dytë.


Për ta ilustruar më mirë këtë që them, po kthehem te vendlindja, atje te shqiptarët në Mal të Zi. Është për t’u habitur se sa ndikim të fuqishëm ka pasur dhe ka ende feja tek ata banorë. Shqiptarët nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë martesa ndërfetare as sot.

Kemi raste që shqiptarët e besimit katolik parazgjedhin më parë të martohen me malazezët apo serbët, se sa të martohen me shqiptarët e besimit mysliman, por kjo ndodh edhe anasjelltas, duke u martuar me myslimanët sllavofolës.

Atëherë, ku është sensi kombëtar këtu? Kjo gjendje nuk është fort më mirë as në diasporë. Nëse flasim për të rinjtë që kanë lindur dhe janë rritur në SHBA, por janë me prejardhje shqiptare, tregon se disa kanë filluar t’i tejkalojnë kufijtë fetarë, edhe pse fetë e tyre nuk janë në pajtueshmëri me martesat ndërfetare shqiptare.


Klerikët tanë të cilët na flasin për kombin, ngrenë statuja kombëtare, ngrenë flamurin kombëtar, por këtë fenomen nuk e ngrenë, ata heshtin, bile mos t’i kthehemi historisë se çfarë u thoshin predikuesve të tyre për martesat.
Edhe sot ata janë kundër martesave të tilla, ata nuk i këshillojnë të rinjtë në favor të martesave ndërfetare shqiptare.
Asnjëherë s’më ka rastisur të dëgjoj që në ligjëratat e tyre ta këshillojnë një martesë ndërfetare te shqiptarët, ndoshta mund të ketë ndonjë rast specifik, por këtu po flasim si tërësi kombëtare.
Ajo që na shqetëson është se kemi raste që disa klerikë nga të dyja anët fetare, i kanë refuzuar kurorëzimet ë tilla.


Sipas këtyre rregullave fetare, një vajze shqiptare të besimit katolik i thuhet se nuk mund të kurorëzohet me një shqiptar të besimit mysliman dhe anasjelltas, një vajze të besimit mysliman i thuhet se nuk mund të kurorëzohet me një djalë të besimit katolik, qoftë ai shqiptar apo jo, ”e ndalon feja”. Ajo që më çudit, është se këto rregulla vlejnë më së shumti për vajzat dhe jo aq shumë për djemtë, që do të thotë edhe më keq, këtu kemi të bëjmë edhe me një patriarkalizëm, fanatizëm dhe diskriminim që ushtrohet ndaj femrës shqiptare. Pa paragjykime për asnjë komb, sepse besoj që dashuria është mbi të gjitha, pa dashuri s’ka jetë, dashuria është vetë Zoti, pa kushtëzime, pa kufij, por ironia më e madhe është se vajzat shqiptare katolike mund të lidhin kurorën me:
sllavin, spanjollin, italianin, portugezin, irlandezin etj., kurse ajo e besimit mysliman mund të lidhet me një turk, arab, pakistanez, bangladeshas, egjiptian, sllav etj., që i takojnë të njëjtit besim. Mendoj se ky koncept për ne duhet të ishte alarmues, nëse pretendojmë se punojmë në të mirën e kombit tonë.
Secili nga klerikët që e ka kombin prioritet dhe interes, duhet ta thyejë këtë tabu. Sepse feja tek e fundit duhet t’i shërbejë kombit, duhet ta ruajë dhe unifikojë atë, këtë e kanë bërë shumica e kombeve tjera.
Sepse feja e cila të ndalon në bashkimin dhe unifikimin me të njëjtën gjuhë dhe komb, ajo nuk mund të jetë fe në të mirën e kombit tënd. Nëse shqiptarët duan të kenë një komb unik dhe të fuqishëm, tek ata nuk guxon të ekzistojë ndarja e martesave ndërfetare, kjo duhet zhdukur, kjo mund të jetë në rregull te kombet e mëdha, por jo te një komb i vogël siç jemi ne, ku dita ditës po tretemi anembanë botës. Andaj, mendoj se fetë e shqiptarëve urgjentisht kërkojnë reformim në favorin kombëtar.