Dukaj: Jemi të vendosur të krijojmë decentralizim të qëllimshëm dhe të qëndrueshëm për komunat

Tekst autorial i ministrit të Administratës Publike, MSc Marash Dukaj

Para Malit të Zi është mundësia për një nga reformat më të rëndësishme në njëzet vitet e fundit, gjegjësisht për reformën e sistemit të vetëqeverisjes lokale.

Projektligji për vetëqeverisjen lokale, të cilin në Ministrinë e Administratës Publike e kemi përgatitur prej vitesh me përfshirje asnjëherë më të madhe të opinionit të gjerë, sektorit joqeveritar, komunitetit akademik dhe përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale, së shpejti do të të jetë para deputetëve në Kuvend.

Nuk bëhet fjalë për një ligj politik, pra për një rregullore të miratuar nga një qeveri për t’i shtuar një bazë normative politikës së saj. Përkundrazi! Janë të pakta rregulloret që janë përgatitur shumë gjatë dhe me përkushtim, dhe ka edhe më pak tekste ligjore në të cilat ballafaqohet kaq qartë e shpallura dhe realja, politika ditore dhe profesionalizmi, shërbimi qytetarëve dhe shërbimi partive politike, e shkuara dhe e ardhmja.

Analiza tregoi se Mali i Zi është një nga vendet më pak të decentralizuara për sa i përket vetëqeverisjes lokale, se kemi formuar shumë komuna pa u bindur më parë nëse disa vetëqeverisje lokale mund të mbijetojnë, se më shumë se gjysma e komunave kanë detyrime të papaguara ndaj shtetit, një e treta ndaj subjekteve të tretë, e disa edhe ndaj punonjësve të tyre, që pothuajse në të gjitha vetëqeverisjet lokale numri i të punësuarve nuk zvogëlohet, por, përkundrazi, po rritet jashtëzakonisht shumë me gjendjen shqetësuese të financave publike.

Për shkak të gjithë kësaj, me zgjidhjen e re ligjore kemi propozuar kritere të përpikta për formimin e vetëqeverisjes lokale dhe për ndryshimin e formës së tyre si dhe për përmbushjen e detyrimeve ndaj qytetarëve dhe shtetit. Duke e njohur specifikën e situatës së detajuar në nivel të sistemit të vetëqeverisjes lokale, nga njëra anë, por edhe nevojën për përmirësimin e decentralizimit nga ana tjetër, ne propozuam futjen e një modeli politip të organizimit të vetëqeverisjes lokale, me decentralizim asimetrik. Ky model nënkupton futjen e qyteteve si formë të vetëqeverisjes lokale në të cilën, përveç kompetencave ekzistuese të komunave, do kryejnë detyra në fushën e kujdesit parësor shëndetësor, arsimit parashkollor, planifikimit hapësinor dhe mbrojtjes sociale.

Një numër i konsiderueshëm komunash do të kanë mundësi që të marrin formën e një qyteti. Por për të qenë plotësisht i qartë, qyteti është më së pakti “çështje statusi” në këtë histori dhe më së shumti do të jetë tregues i menaxhimit të mirë dhe të përgjegjshëm të komunës. Sepse, krahas kritereve demografike për marrjen e statusit të qytetit, komunat duhet të plotësojnë kriteret financiare dhe ekonomike.

Ne jemi të vendosur të krijojmë decentralizim të qëllimshëm dhe të qëndrueshëm. Decentralizim që do t’u sjellë qytetarëve një shërbim më të mirë, më të lirë, më efikas dhe cilësi të jetës siç ata e meritojnë në vetqeverisjen lokale.

Ne propozuam linja të qarta të detyrimeve dhe përgjegjësive të vetqeverisjeve lokale, por edhe të organeve qendrore. Do të fusim edhe mundësinë e komunave të qytetit. Afirmuam bashkëpunimin ndërkomunal dhe procesin e integrimit evropian në të cilin komunat luajnë një rol tejet të rëndësishëm. Gjithashtu, konceptin e avancuar të bashkive lokale, si dhe mekanizmat e pjesëmarrjes së qytetarëve në zbatimin e vetëqeverisjes lokale do të jenë një shtysë e fortë për realizimin e së drejtës së vetëqeverisjes lokale të garantuar me Kushtetutë.

Për herë të parë do të propozohet Ligji për funksionarët lokalë dhe punonjësit shtetërorë, i cili do të lehtësojë sistemin në nivel shtetëror, që është një nga çështjet për të cilat ka pasur konsensus të lartë mes pjesëmarrësve në debatin publik. Sistemi merit i punësimit, numri i optimizuar i të punësuarve, një sistem zyrtar që plotëson nevojat reale të komunave tona do të sigurojë efikasitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi në punën e vetëqeverisjes lokale.

Nuk ka dilemë se bëhet fjalë për një ligj cilësor, modern dhe evropian që është shumë i nevojshëm për Malin e Zi. Kjo është arsyeja pse, përkundër faktit që kemi bërë maksimumin për të përgatitur këtë tekst në dy vitet e fundit, unë jam i brengosur për fatin e tij.

Kur ky ligj të shkojë në parlament, a do të kuptohen problemet e reformës që e bëjnë të pamundur trajtimin e vetëqeverisjes vendore si mjet të rritjes së mbështetjes politike? Apo do të mbizotërojë kuptimi se nuk mund të vazhdohet më kështu dhe se duhet të ndalohet me praktikën e gabuar?

Unë nga natyra jam optimist, ndaj besoj se do të mbizotërojë mirëkuptimi. Kjo është arsyeja pse Ministria e Administratës Publike, krahas vazhdimit të punës për Projektligjin për Vetëqeverisjen Lokale, ka iniciuar edhe dy hapa të rëndësishme reformuese drejt Kuvendit: zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave dhe zhvillimi i zgjedhjeve lokale në të gjitha komunat në një dite.

Pranimi i kësaj nisme, së bashku me ligjin e ri, do të çonte më në fund në kthimin e trendit në drejtim pozitiv. Në vend të kryetarëve të komunave që nuk ishin as në listat zgjedhore dhe drejtuesve të njësive të vetëqeverisjeve lokale që “rrotullohen” ashtu siç janë marrë vesh partitë e tyre, ne do të kishim kryetarët e komunave të zgjedhur nga qytetarët. Në vend të zyrtarëve partiakë do të kishim personalitete. Në vend të deklaratave populiste do të kishim programe. Në vend të inxhinierisë zgjedhore dhe destabilitetit, do të kishim organe legjitime që sjellin stabilizimin e situatës. Në vend të zgjedhjeve çdo disa muaj, ne do të ishim të relaksuar me zgjedhje çdo katër vjet, siç është rasti në vendet e avancuara dhe demokratike.

Mali i Zi nuk ka pasur kurrë një zgjedhje më të lehtë. Qytetarët me gjendjen aktuale nuk po përfitojnë asgjë, por po humbin shumë.

Prandaj i bëj thirrje mediave, organizatave joqeveritare, komunitetit akademik dhe të gjithë qytetarëve që të mbështesin nismën tonë për këtë zgjidhje ligjore. Presioni i publikut profesional ndaj aktorëve politikë gjithmonë jep rezultate. Ky është rasti, dhe kam frikë se për rastin e radhës do të prisnim shumë.