Dr. Fran Ivezaj, pedagogu malësor që ligjëroi në tri kontinente dhe mësoi shumë kombësi etnike e minoritete


Përkujtim

Dr. Fran Ivezaj, pedagogu malësor që ligjëroi në tri kontinente dhe mësoi shumë kombësi etnike e minoritete

Gjekë Gjonaj

Më 25 korrik 2024 ka vdekur pedagogu i shquar malësor i gjuhës angleze Dr. Fran Ivezaj, në moshën 65 vjeçare në Greqi ku edhe shërohej. Ai kishte lindur më 9 gusht të vitit 1958, në fshatin Lekaj të Grudës ( Malësi e Madhe). Shkollën fillore e ndoqi në fshatin Vuksanlekaj Tuz) , katër kilometra nga fshati i tij i lindjes, ku siç ka theksuar ai “ librat i merrnim me vete dhe ndërsa delet e lopët kullosnin bar, për ta kthyer në qumësht, ne kullosnim shkronjat nëpër faqet e librave për t’i kthyer në dije”. Ai është rritur me shumë vështirësi, vuajtje, skamje dhe sakrifica. Ka kaluar një fëmijëri pa fëmijëri, si shumë fëmijë të tjerë të asaj kohe të krahinave shqiptare në Mal të Zi.

Largimi nga toka e paharruar në tokën e premtuar

Si edhe dhjetëra familje malësore të viteve të 70-ta, edhe prindërit e tij ( babai Leka dhe nëna Pashka ) në kërkim të një jete më të mirë , u detyruan të linin vatrat e veta shekullore, tokën e të parëve dhe të marrin rrugën e mërgimit ( kurbetit), si e vetmja shpresë për familjen e tyre. Fillimisht në vitin 1971 u shpërngulën në Tor Lupara të Italisë . Atje kanë qëndruar nga shtatori i vitit 1971 deri në nëntor të vitit 1972, prej nga, pas marrjes së vizave, kanë emigruar në Detroit në shtetin e Michiganit, Shtete të Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit në Itali, Frani 13 vjeçar lexonte librat e At Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Naim e Sami Frashërit e rilindësve të tjerë, vepra të cilat do të ndikojnë në brumosjen e tij ideologjike dhe politike në mbështetje të kauzës kombëtare.

Ëndrrën amerikane e bëri realitet

Falë prindërve të tij arsimdashës me të mbërritur në Amerikë Frani, ende si fëmijë, së bashku me vëllain e tij Pjetrin , i frymëzuar nga njohurit e para për historinë e popullit shqiptar, për gjuhën , kulturën dhe zakonet shqiptare , zgjeron njohurit e veta për kombin dhe trojet shqiptare në bibliotekën publike, ku e mësoi edhe gjuhën angleze. Qysh atëherë i përkushtohet shkollës, ngritjes së tij arsimore dhe profesionale. Shkollën e mesme “ Northeastern High School” e ka mbaruar në Detroit, në vitin 1975, kurse studimet në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze i ka përfunduar në vitin 1984 dhe fiton titullin e magjistrit. Gjatë kohës së studimeve pasuniversitare, ai ka punuar si profesor në një shkollë të mesme në Detroit . I etur për dije e njohuri të reja në fushën e gjuhës angleze ai nuk kënaqet me kaq dhe në vitin 1996 ka mbrojtur doktoratën pranë “Wayne State University”. Dr. Fran Ivezaj, punën dhe suksesin e arritur në këtë universitet me hulumtimet e tij shkencore e ka kurorëzuar për gati një vit, me mbrojtjen e disertacionit “ Integracion of Education in School Curriculumm, ( “Integrimi i edukatës multikulturore plan-programet shkollore” ). Kështu ëndrrën e tij amerikane e bëri realitet.

Ligjërues, drejtues dhe kontribuues i arsimit në Amerikë dhe shtete të tjera

Dr. Fran Ivezaj i takon brezit të parë të malësorëve në Amerikë i cili, krahas mbështetjes së familjes dhe përkushtimit të tij maksimal. arriti të ngrihet intelektualisht në institucionet arsimore në Amerikë. Njohuritë e fituara në fushën e gjuhës angleze në këtë shtet i mundësuan atij një karrierë të shkëlqyer. Rezultatet e punës së tij shkencore i vuri në shërbim të mësimdhënies dhe transformimit të sistemit arsimor në Shtete të Bashkuara të Amerikës dhe në shtete të tjera, të cilat i ngriti në mënyrë cilësore. Veprimtaria e tij në fushën e arsimit dhe kontributi në përparimin e dijes bënë që të jetë një ndër intelektualët e shquar në mërgim. Për 32 vite veprimtarie edukativo-arsimore në shkollat publike të shtetit të Michiganit dr. Ivezaj është renditur si një edukator i shquar i anglishtes nga Marquis Who’s Who. Ky profesionist i gjithanshëm ka punuar si profesor, drejtor dhe zëvendësdrejtor në shkolla publike në Detroit. Ka qenë ligjërues në “Wayne State University”. Përveç këtyre dhe detyrave të tjera të rëndësishme në fushën e arsimit amerikan ai ka dhënë ndihmesë dhe kontribut të çmuar në transformimin e sistemit shkollor edhe në shtete të tjera të botës. Viteve të fundit të jetës së tij ka qenë ligjërues, drejtor, ndihmësdrejtor, mbikëqyrës, trajnues dhe konsulent në disa shkolla – kolegje private, shkolla ndërkombëtare britanike dhe ato të drejtuara nga qeveria suedeze, si: në Etiopi e Kajro – Egjipt në pjesën lindore të Afrikës në Kurdistanin Jugor – Irak dhe në Malajzi në Azinë perëndimore, ku ka mësuar shumë kombësi etnike e minoritete, me ç ‘rast është njoftuar me kultura të ndryshme me një trashëgimi të pasur. Ka kontribuar në rihapjen e Shkollës Teknike “ Harry Fulltz” në Tiranë.

Autor i librit “ Klithma e një shqiponje”

Dr. Fran Ivezaj krahas arritjeve të tij shkencore në fushën e gjuhës angleze u dëshmua edhe në fushën e publicistikës, si autor i librit monografik-dokumentar me vlera artistike dhe shumë shkencore “ Klithma e një shqiponje” në të cilin ndriçoi dhe argumentoi në detaje me dokumente e materiale reale Çështjen “Ivezaj” e cila i ngriti në këmbë gjithë shqiptarët e Amerikës, dhe u bë temë e posaçme në mediat ( shtypin ) amerikan dhe në mediat jugosllave, madje ajo u shndërrua në një betejë të gjatë por të suksesshme diplomatike midis dy administratave të Uashingtonit dhe Beogradit. Personazhi kryesor i këtij libri është vëllai i autorit, shqiptaro-amerikani, Pjetër Ivezaj, të cilin gjatë qëndrimit të tij në vendlindje e arrestoi (burgosi) padrejtësisht UDB-ja jugosllave, në Podgoricë, më 19 gusht të vitit 1986 me aktakuzën si “ armik i Jugosllavisë”.
Dr. Fran Ivezaj është bashkautor i librit “ Multicurtural Component Guide Albanians” dhe autor i një broshure me titull “ “ Albanian Amerikcan”, në të cilën pasqyrohet një historik i shkurtër i shqiptarëve dhe personazhe të shuara shqiptare. Ai po ashtu ka shkruar artikuj të ndryshëm shkencorë dhe politikë në gazeta amerikane dhe shqiptare. Ka qenë përkthyes i licencuar për gjuhën angleze .

Jetoi në mërgim me sy e mendje në Malësi

Dr. Fran Ivezaj me punën e tij të palodhur në fushën e arsimit dhe të ngritjes intelektuale është frymëzim për shqiptarët në mërgim. Edhe pse jetoi më se pesë dekada larg vendlindjes, një copëz e së cilës është instaluar në Amerikë, sytë dhe mendjen i kishte në Malësi.
Shkoi në amshim pa e realizuar dëshirën e tij e madhe dhe të flaktë, që me profesionalizmin dhe përvojën e fituar shumëvjeçare në mërgim, të kontribuojë në transformimin e sistemit arsimor të shqiptarëve .
I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e tij! ( Koha Javore)