Në ambientet e QKI Malësia në Tuz, u bë hapja e panairit të V të Librit.
Hapjen zyrtare e bëri kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
Ai theksoi se Panairi i Librit në Tuzit është ngjarje e rëndësishme kulturore që bashkoi dashamirësit e librit, duke promovuar vlerat e arsimit dhe kulturës në komunën tonë.
“Ne, si Komunë e Tuzit, jemi të përkushtuar të organizojmë aktivitete që frymëzojnë dhe përçojnë këto vlera të çmuara, duke mbështetur dhe zhvilluar kulturën tonë”, deklaroi Gjelaj.
Kurse në emër të organizatorit sekretaria e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj, në fjalën e saj theksoi se Panairi ynë i Librit dita ditës po fiton konturat e veta të dëshiruara.
“Vetë fakti se sot po e hapim edicionin e pestë të tij, na jep një ndjenjë të posaçme, se ia arritëm ta bëjmë këtë manifestim tradicional, që ishte qëllimi ynë i madh që në fillim. Përpos kësaj, sado i vogël që mund të duket, ai është edhe panair ndërkombëtar i librit, pasi në të marrim pjesë shtëpi botuese dhe autorë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e kuptohet edhe nga Mali i Zi”, deklaroi Ujkaj.
Në këtë panair, morrin pjesë shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi , Maqedonia e Veriut, duke ofruar libra në fusha të ndryshme si letërsia, historia, filozofia dhe arti. Kjo ngjarje ndihmon gjithashtu në nxitjen e bashkëpunimit kulturor mes vendeve të rajonit dhe përhapjen e vlerave të përbashkëta kulturore përmes librave.
Panairi është i hapur çdo ditë prej orës 10 deri në 14:00 si dhe nga ora 17:00 deri në 21:00.
MALESIA.ORG