Skandaloze – ZV/kryeministri i Malit të Zi: Kosova është krahinë e Serbisë


Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Millun Zogoviq, ka thënë se Kosova është krahinë jugore e Serbisë.

Në televizionin “Aplus” të Malit të Zi, këtë koment Zogoviq e bëri duke komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë në Tivat javën që po e lëmë pas.

“Qëndrimin tim nuk e ka ndryshuar me hyrjen në qeveri – Kosova dhe Metohija është krahinë jugore e Serbisë”, tha zëvendëskryeministri i Malit të Zi.

“Sa i përket detyrimeve ndërkombëtare të Malit të Zi, gjithçka do të respektohet, por unë kam mendimin tim se Kosova është pjesë e Serbisë e shkëputur qëllimisht. Këtë qëndrim e kam shprehur në Kuvend, disa ditë para se të hyja në qeveri. Asgjë nuk ka ndryshuar për mua”, është shprehur më tej Zogoviq.

Sipas tij, Serbia dhe Mali i Zi duhet të ndërtojnë raporte të qëndrueshme dhe afatgjata të bazuara në respektin reciprok.

Para pak kohësh, edhe Kuvendi i Malit të Ziiu referua institucioneve të Republikës së Kosovës si “institucione të përkohshme”.

Kjo ishte bërë në njoftimin zyrtar për media të publikuar në uebfaqen e Kuvendit të Malit të Zi për takimin mes kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq dhe ambasadorit të Serbisë në Podgoricë, Nebojsha Rodiq.

Deri me tani nuk ka reagime nga politikanët shqiptar të cilët janë në bashkëqeverisje me subjektet nacionaliste serbe, nga ku vjen Zogoviq.

Pushteti i Malit të Zi çdo ditë e më shumë po jep sinjale se është afër me politiikat nacionaliste në Serbi. Votimi kundër Kosovës për pranimin në Këshillin Evropës nga kryetarja e delegacionit të Malit të Zi Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pastaj miratimi i Rezolutës Jasenovac, gjë që shkaktoi reagime të ashpra nga Kroacia, dhe ngritja e monumentit të mitropolitit serb Amfillohije i cili ishte i njohur për qendrime anti-perendimore, anti-shqiptare por edhe për qendrime të tija kundër pavarësisë së Malit të Zi, janë vetëm disa fakte që e dëshmojnë këtë. Shto këtu deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi Andrija Mandiq i cili institucionet e Republikës së Kosovës i ka cilësuar si “institucione të përkohshme” dhe deklaratën e zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Millun Zogoviq, i cili ka thënë se Kosova është krahinë jugore e Serbisë.

Një gjë është e qartë, një bashkëqeverisje e partive shqiptare me partitë nacionaliste serbe është e panatyrshme.

Këto parti edhe zyrtarisht janë cilësuar nga ambasada amerikane se nuk mund të jenë partnerë të ShBA-së.