Më 12 tetor 2024, në hotelin Mediteran – Ulqin, u mbajt Tryezë e rrumbullakët, me temën “Sfidat e raportimit mediatik në gjuhën shqipe”.
Ky aktivitet u mbajt nën organizimin e OJQ Horizonti i Ri në bashkëpunim me shoqatën “Eduko Plus”, në kuadër të projektit me të njëjtin emër, i cili mbështetet nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave në Mal të Zi.
Aktiviteti ishte i konceptuar në formatin e një tryeze me disa panele diskutimi, të drejtuara nga gazetarë e profesionistë të medias nga vendi dhe rajoni.
Pjesëmarrës të këtij takimi ishin përfaqësues të mediave në gjuhën shqipe dhe aktivistë të shoqërisë civile nga të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi.
Fillimisht në emër të organizatorit të pranishmit i përshendeti Nazif Veliqi, drejtor ekzekutiv i OJQ Horizonti i Ri, pastaj, Allmedina Doda, kryetare e shoqates “Eduko Plus”, nga Kraja, si dhe
Arben Xhurreta, drejtor i pergjithshem për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera kombëtare pakicë në Qeverinë e Malit të Zi.
Lidhur me Rolin e gazetarëve në debatin publik, raportimin mbi ngjarjet dhe trajtimin e çështjeve që kanë interes publik, si dhe për raportimin mbi të drejtat dhe liritë e njeriut (të drejtat e pakicave), foli profesori Sefer Tahiri nga Maqedonia e Veriut.
Për problemet kryesore të mediave në gjuhën shqipe në Malin e Zi, foli Dr. Haxhi Shabani.
Kurse, mbi Rolin e mediave në sensibilizimin e opinionit për çështjet identitare të shqiptarëve në Mal të Zi, foli Mr. Robert Camaj.
Mbi disa dukuri dhe sfida të mediave në gjuhën shqipe në Malin e Zi, foli gazetari Ismet Kallaba.
Sa i përket punës në Redaksitë në gjuhën shqipe në Servisin Publik të Malit të Zi dhe gjendjen aktuale dhe mundësitë për avancim, foli Senad Gilaj, redaktor i redaksisë për pakica në TVMZ.
Ndërkaq, lidhur me sfidat e mediave lokale në gjuhën shqipe dhe eksperiencën nga TV Rozhaja, foli gazetari Artan Daci.
Ky projekt synon të kontribuojë në avancimin e mbrojtjes dhe promovimin e të drejtave të pakicave si dhe në përmirësimin e praktikave profesionale në fushën e medias dhe informimit në Mal të Zi.
Albert Camaj