Promovohet libri autobiografik “Porosia e Kullës” e autorit dr.Pashko Camaj

Më 19 tetor 2024, në QKI “Malesia”, në Tuz, u bë promovimi i librit autobiografik “Porosia e Kullës” e autorit dr.Pashko Camaj.

Fillimisht pranë publikut të shumtë me një interpretim të shkëlqyr, duke lexuar disa rreshta nga libri në fjalë, u paraqit regjisori Idriz Gjokaj.

Kurse për librin folën: Albert Bikaj, studiues i ri nga Malësia, Bujar Hudhri, drejtor i shtëpisë botuese “Onufri” nga Tirana,Besnik Mustafai, shkrimtar dhe diplomat, Zija Vukaj, shkrimtar dhe studiues, si edhe autori i veprës, dr. Pashko Camaj, e gjithë kjo nën moderimin e gazetares Bora Lucaj.

Dr. Pashko Camaj, librin e vet, “Porosia e kullës”, e solli në dritë pas 40 viteve në mërgim, e në të cilin përshkruan histori nga e kaluara e familjes, gëzime dhe hidhërime që i kanë, por që nuk janë vetëm të familjes, pastaj trajton plagën e migrimit, që nga vitet e 70-ta.

Me Largimin e vet nga vendlindja dhe emigrimin plot sfida drejt ëndrrës amerikane, profesor Pashko Camaj arrinë të bëhet ekspert i njohur i shëndetit publik dhe dr. i shkencave.

Gjatë promovimit të Librit “Porosia e kullës”, në Tiranë, Prishtinë dhe Tuz, Camaj foli edhe për motivet që e kanë shtyrë të shkruaj librin.
“Një prej historive që vjen në libër është përshkrimi i vrasjes së gjyshit tim nga komunistët jugosllavë më 1945. Nga aty lind titulli i librit. Komunistët rrethojnë kullën dhe e detyrojnë të dalë prej saj, plakun e shtëpisë, gjyshin tim Pjetrin. Duhej të dilte pa armë. Të lejosh që të vijnë të të marrin babain nga shtëpia e ta vrasin nuk ishte e lehtë. Kjo ka qenë një ndër gjërat më të vështira për babain tim. Mirëpo gjyshi u thotë të bijve, se për kullën duhet të jetohet jo të vdiset” thotë Camaj.

Përmes “Porosisë së Kullës”, autori Camaj solli në pah ditët e hershme të fëmijërisë dhe të pafajësisë, ditët e lumturisë dhe të trishtimit, babanë e tij- heroin e tij, verën e fundit, lotët dhe dhembjen e zemrës së të atit si dhe rastin heroik të Rrok Pjeter Zekut, i cili kishte hyrë midis plumbave për të shpetuar dy bashkëvendas që donin të vrisnin njeri tjetrin.

Albert Camaj