Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) më 21 tetor, raportojnë mediat në Shqipëri.
Meta kishte shërbyer në postin e presidentit të Shqipërisë nga viti 2017 deri më 2022.
Përveç ka mbajtur postin e presidentit, Meta kishte qenë edhe kryeministër, kryetar Kuvendi dhe ministër i Jashtëm.
Policia dhe SPAK-u ende nuk kanë dalë zyrtarisht me ndonjë njoftim për shtyp lidhur me arrestimin e Metës.
Meta kishte njoftuar për një konferencë për media për në orën 13:40 dhe ishte duke udhëtuar drejt selisë së partisë së tij kur është arrestuar.
Bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi, shkroi në rrjetet sociale se nuk është në dijeni se ndaj saj është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje” – siç është raportuar në mediat në Shqipëri – e as për masën e sigurisë “arrest me burg” për Metën.
“Unë ende nuk kam marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babanë e fëmijëve të mi. Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjore dhe publike. Persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik”, shkroi Kryemadhi në Facebook.