Lidhur me fotografinë e publikuar nga portali CDM, në të cilën shfaqet një flamur i dizajnuar me simbolet e disa shteteve të rajonit, përfshirë edhe flamurin e Republikës së Kosovës të vendosur brenda flamurit të Serbisë, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dëshiron të shprehë shqetësimin dhe indinjatën e thellë për këtë akt të papranueshëm.
Unioni Demokratik i Shqiptarëve kërkon sqarim urgjent nga organizatorët e protestës “Kamo Śutra” nëse ky flamur është pjesë e menduar e mesazhit të tyre politik apo një veprim individual i paautorizuar.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje portalit CDM që të distancohet qartë nga mesazhe të tilla dhe të sqarojë qëndrimin e tij, duke pasur parasysh ndikimin që ka mbi opinionin publik.
Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur, i njohur nga shumica e vendeve demokratike në botë. Vendosja e flamurit të saj brenda flamurit të Serbisë është një akt provokues që nuk respekton realitetin politik dhe cenon ndjenjat e shqiptarëve kudo, e veçanërisht në Mal të Zi.
Ky veprim tregon mungesë respekti ndaj historisë, identitetit dhe vullnetit të popullit të Kosovës.
Për ne shqiptarët në Mal të Zi, kjo është një provokim serioz, që synon të cenojë dinjitetin tonë kombëtar dhe të na rikujtojë narrativat e dëmshme, të cilat nuk i shërbejnë as bashkëjetesës e as marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Ndjehemi të prekur dhe të fyer, jo vetëm si shqiptarë, por edhe si qytetarë që mbështesin vlerat e respektit të ndërsjellë, sovranitetit dhe bashkëjetesës paqësore.
Unioni Demokratik i Shqiptarëve u bën thirrje institucioneve përgjegjëse në Mal të Zi, si dhe organizatave të shoqërisë civile, që të dënojnë veprime të tilla që dëmtojnë harmoninë ndërmjet komuniteteve.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje të gjitha mediave të raportojnë me përgjegjësi dhe të mos promovojnë simbole që mund të nxisin tensione ndëretnike.
Unioni Demokratik i Shqiptarëve mbetet i përkushtuar ndaj parimeve të respektit për identitetet kombëtare, sovranitetin e shteteve dhe bashkëjetesën paqësore.
Veprime provokuese si ky nuk do të na dekurajojnë, por përkundrazi do të na motivojnë që të qëndrojmë edhe më të bashkuar në mbrojtje të vlerave tona kombëtare dhe demokratike.
Unioni Demokratik i Shqiptarëve respekton aktivitetin e “Kamo Śutra”, por është absolutisht kundër ikonografive të tilla, të cilat fyejnë thellësisht një popull autokton – shqiptarët në Mal të Zi.