Presidenti Begaj në Tuz, vendosi kurorë me lule te përmendorja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu


Në një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e tij, z. Bajram Begaj vendosi sot kurorë me lule te përmendorja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në sheshin e ri të Tuzit, i cili mban të njëjtin emër. Kjo ngjarje u zhvillua në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi.

Në këtë vizitë, ai u prit nga kryetari i Komunës së Tuzit, z. Lindon Gjelaj, kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, z. Fadil Kajoshaj, nënkryetarët e Komunës, z. Ivan Ivanaj dhe z. Fisnik Gjokaj si dhe shumë qytetarë të komunës sonë të cilët u mblodhën aty për të nderuar presidentin Begaj.

Gjatë ceremonisë, Presidenti theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të vlerave kombëtare, duke nënvizuar se Skënderbeu mbetet një simbol i qëndresës dhe unitetit për shqiptarët kudo në botë.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës theksoi rëndësinë e kësaj vizite, duke e cilësuar atë si një shenjë mbështetjeje dhe vlerësimi për komunitetin shqiptarë në Malësi.

Ceremonia u shoqërua me përformancën artistike të disa shoqërive kulturore dhe artistike nga komuna jonë.