U nda nga jeta Ibrahim Berjashi, kryetari i parë i Art Club”-it

Njëri prej themeluesve dhe kryetari i parë i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, shkrimtari dhe gazetari Ibrahim Berjashi ka ndërruar sot jetë në moshën 77-vjeçare.

Që prej themelimit të “Art Club”-it, 35 vjet më parë, e deri në vdekje, ai ka dhënë një ndihmesë të madhe – fillimisht në përcaktimin e misionit të qartë të shoqatës sonë e më pas në organizimet e ndryshme letrare, kulturore e shkencore përgjatë gjithë këtyre viteve.

Në kohën kur Berjashi e ka udhëhequr “Art Club”-in, ka nisur manifestimi letrar “Taverna poetike”, pararendëse e manifestimit tradicional “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, njëri prej manifestimeve më prestigjoze në fushën e letërsisë në hapësirën shqiptare. Ai ka qenë kryeredaktor i revistës “Fati” dhe i gazetës për të përndjekurit nga Kosova “Shpresa”, që janë botuar nga “Art Club”-i. Berjashi ka lënë trashëgimi me dhjetëra vepra letrare, pjesa më e madhe të botuara me firmën e “Art Club”-it.

Kontributi i Ibrahim Berjashit për kulturën dhe gazetarinë shqiptare në Malin e Zi dhe më gjerë është shumë i madh.

“Vdekja e tij është një humbje e madhe për shoqatën tonë. “Art Club”-i humbi jo vetëm një anëtar të devotshëm, por edhe njërin prej nismëtarëve vizionarë në kohët e anatemimit të kulturës shqiptare në Malin e Zi”, kumtohet nga Art Club.

Ibrahim Berjashi Lindi në vitin 1948 në Ostros të Krajës, Komuna e Tivarit. Ka kryer Normalen në Ferizaj, Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, kurse Gjuhën e Letërsinë Shqipe e ka studiuar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.

Për një kohët të gjatë ka qenë korespondent edhe i gazetës ” Rilindja”.

Malesia.org