Camaj: Përkrahje zgjidhjes së Stemës së komunës, por edhe të drejtës në reagim

Lideri i Lidhjes Demokratike Shqiptare dhe njëri ndër udhëheqësit e Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj, nëpërmjet faqes së vet në FB, shprehet lidhur me stemën e komunës.

Lexoni postimin e plotë të Camaj:

“Edhe pse nuk pajtohem me atë që thoni, deri në vdekje do të mbroja të drejtën tuaj për ta shprehur” Volter

Të nderuar miq,
Aprovimi i stemës së komunës së Tuzit, këto ditë, mbushi rrjetat sociale, me shkrime e reagime, nga adresa të njohuar e më pak të njohura, të cilat ishin të pritshme, por, mendoj, pak edhe të tepruara. Them të pritshme, sepse është tejet normale që njerëzit të mos mendojnë njëlloj, dhe që mendimet, apo pakënaqësitë e veta t’i shfaqin aty ku kanë mundësi. Them të tepruara, pasiqë disa nga komentuesit, jo vetëm se shprehin pakënaqësitë e veta, por i japin vetes të drejtë edhe të mbajnë lekcion, pa far kriteri, madje edhe duke poentuar qendra intersi, që mund të kenë ndikuar në vendimarrje, duke mos kurrsyer as fyerje. Sikur harrohet se buka gatuhet nga ai miell që ke, dhe pjekët me ato dru që ke, pa marr para sysh se cilat janë pritshmëritë, apo dëshirat tona. Kështu edhe stema e komunës u përzgjodh nga mielli/propozimet që ishte në dispozicion. Edhe ata, unanimisht u zgjodh më e mira! Nga të gjitha propozimet e arritura, vetëm ky ishte origjinal, autentik, pa elemente të huazuar nga stemat e njohura të qyteteve përreth. Se a është kjo zgjidhje, ajo që do ta dëshironim, është çështje tjetër! Personalisht, pajtohem me shumë nga ata që do ta dëshironin disi ndryshe. Por, se si, është çështje e shijes, kurse për shije nuk diskutohet!
Njëkohësisht dua të përkujtoj faktin se për të bërë propozimet, konkursi ishte i hapur, e i publikuar në faqen zyrtare të komunës, e edhe në TV Boin, për më se një muaj, dhe mundësi që të konkurronin kishin të gjithë ata, që sot paraqesin ide e propozime të reja, por të vonuara.
Sidoqoftë, nuk dua të polemizoj me idetë e propozimet e shpalosura, por të sjellja në vemendje stemat e qyteteve përreth, apo edhe më gjerë; Tirana, Shkodra, Malësia e madhe, New Yorku, Rochester Hillsi…, të cilat nuk kanë diçka nga ajo që do të duhej t’i bënte krenarë qytetarët e tyre. Stemat e qyteteve madje nuk e kanë atë pretendim. Ato nuk janë stema kombëtare, por thjesht, shenja me elemente dalluese, për të dalluar një qytet nga tjetri. Nuk ka sish, që me flamurin e komunës, të dalin e të bëjnë tifo, të brohorasin, apo të shprehin ndonjë mburrje përkatësie, por, thjesht identifikohen me të si qytet/komunë. Por, edhe si e tillë, stema e përzgjedhur përmban në vete elemente të pamohueshme identifikuese, kombëtare; Diellin, origjinën tonë, Deçiqin, sakrificat tona, Cemin, pasurinë dhe pastërtinë e shpirtit malësor, numrin, lashtësinë e qytetit tonë.
Megjithatë, as e gjithë kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk kanë të drejtë, apo nuk duhet të reagojnë. Ky shkrim as nuk pati qëllim t’i mohoj dikujt këtë të drejtë, por madje ta stimulojë kritikën dhe debatin e shëndoshë, qoftë me kundërshtarët tonë politikë, qoftë me përkrahësit tonë. Më në fund, komuna është edhe atyre që nuk e duan këtë strukturë politike që e qeveris, njëjtë si edhe e atyre që e përkrahin, por që nuk u pëlqejnë të gjitha veprimet tona. Por duhet pasur para sysh se ne kemi marrë përgjegjësi para banorëve të Malësisë, prandaj edhe duhet të marrim vendime që çështjeve t’u jap zgjidhje, e natyrisht, jo gjithherë ato do të pëlqehen nga të gjithë. Dhe kjo është krejt normale.
Me respekt,
Nikollë Camaj, kryetar i LDSH-së