Hapet kalimi kufitar Cemi i Trieshit – Grabom

Sot u bë hapja zyrtare e kalimit të ri kufitar në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, Cemi i Trieshit – Grabom.

Në hapje ishin prezent kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i Malit të Zi Zdravko Krivokapic, zv.kryeministri Dritan Abazoviq, i ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi Herman Shpic, kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj, kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve nga të dy vendet.

Me hapjen e këtij vendkalimi kufitar, qytetarëve të Gucisë u shkurtohet tri herë distanca deri në Podgoricë, nga 210 në 70 kilometra. Fjala është për rrugëdrejtimin Guci-Vërmosh-Tamarë-Dinoshë-Podgoricë.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se ky është një lajm i mirë për të gjithë ata që përdorin këtë rrugë dhe do të kenë një pikë kufitare dinjitoze.

Kryeministri falënderoi palën malazeze për bashkëpunimin dhe tha se kjo doganë ka të njëjtin standard me ato të Bashkimit Europian.