Kryeministri Edi Rama vizitoi Komunën e Tuzit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vizituar sot Komunën e Tuzit, me ç’rast është pritur nga Kryetari i Komunës Nik Gjeloshaj. Vizita e Ramës u bë në kuadër të pjesëmarrjes së tij në hapjen zyrtare të pikës kufitare në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, Cemi i Trieshit – Grabom.

Në takim me Kryeministrin Rama, të pranishëm ishin edhe nënkryetari i Komunës së Tuzit Ivan Ivanaj, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi Ridi Kurtezi, si dhe deputetët shqiptarë të Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu dhe Fatmir Gjeka.

“Në takim diskutuam mbi ngjarjet e fundit politike në vend, problematikat dhe diskriminimi që po u bëhet komunave shqiptare në Mal të Zi nga ana e Qeverisë së re. Poashtu, e njoftova kryeministrin me mënyrën e funksionimit dhe projektet zhvillimore që Komuna e Tuzit ka për këtë vit,” është shprehur Kryetari i Komunës Nik Gjeloshaj.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një takim tjetër në të cilin do të diskutohet në mënyrë të detajuar mbi situatën aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi.

“Kurse kryeministri, teksa na uroi për mënyrën e funksionimit të mirë të administratës lokale të udhëhequr nga shqiptarët, theksoi se shumë shpejti do të kemi një takim tjetër ku do mund të diskutojmë në mënyrë të detajuar mbi situatën aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi, problematikat dhe mënyrën e zgjedhjes së tyre, si dhe mbi projektet e ndryshme me interes të përbashkët,” ka thënë Gjeloshaj. /MALESIA.ORG/