Regjistrimi nxori shifrat: Mbi 100 mijë shqiptarë jetojnë në Luginën e Preshevës


Procesi i regjistrimit të popullsisë në Serbi i cili filloi me 1 tetor dhe do të përfundojë të hënën e 31 tetorit, sipas rezultateve preliminare në tri komunat, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, jetojnë mbi 100 mijë banorë shqiptarë.

Po ashtu, këto rezultate i përgënjeshtrojnë autoritetet shtetërore serbe të cilat, konsideronin se vetëm 5 mijë e 200 banorë shqiptarë jetonin në pjesën jugore të Serbisë, duke u bazuar në regjistrimin e vitit 2011, ku shqiptarët kishin bojkotuar atë kohë censusin për shkak se formularët e regjistrimit ishin shtypur në gjuhën serbe.

“Rezultatet preliminare janë se në komunën e Preshevës me të gjitha 35 vendbanime jetojnë 58 mijë e 850 qytetarë rezident dhe jorezident në 11 mijë 573 amvisëri. Sipas informatave që i kam në Bujanoc ka diku mbi 54 mijë qytetarë, ndërsa në Medvegje mbi 8 mijë e 300 qytetarë”, deklaroi kryetari i Komisionit Komunal për Regjistrim, Hevzi Ramadani për Radio Televizonin e Kosovës.

Rezultatet e para zyrtare pritet t`i bëjë publike “Enti për Statistika” në Serbi nga fundi i nëntorit, ndërsa ato përfundimtare më së voni deri në fundin e prillit të vitit 2023.

Procesi i regjistrimit në tri komunat e Luginës së Preshevës  është monitoruar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).