Riparohet varri i Tringë Smajles

Mbas 92 vjetëve të vdekjes së heroinës shqiptare u bë riparimi i varrit i cili ishte dëmtua nga hordhitë serbe në vitet e njëzeta të shekullit të kaluar, kur ato marshuan barbarisht nëpër trojet shqiptare. Ata nuk u kënaqeshin me tortura, maltretime dhe vrasje të malësorëve. As të vdekurit nuk i lenin të qetë në varreza. Edhe ata u pengonin, prandaj edhe shtëpitë e përjetshme ua dëmtonin.
Këtë fat e patë edhe varri i Tringës së Grudës; i kësaj patriote, burrneshë largpamëse e etur për lirin e të gjithë shqiptarëve, e cila veproi me përkushtim të pashoq deri në ditët e fundit të jetës së vet për realizimin e ideve dhe përpjekjeve të babës së saj Smajl Martinit – Bajraktarit të Grudës.

Mbas gati një shekulli edhe guri i fortë i këtyre anëve pëson ndryshime, e kështu ndodhi edhe me varrin e lënduar të heroinës sonë. Ai ishte në gjendje të mjerueshme dhe nuk duronte më. Mu për këtë arsye dhe për respektin që kam për jetën dhe veprën e Tringës, si i afërm i sajë, me përkrahjen e vëllazërisë, vendosa që t’ia riparoj varrin.
Mbas sa e sa përpjekjesh takova një burrë trieshjan nga vëllazëria Lucaj – mjeshtër guri me traditë i cili me përkujdesje dhe përkushtim të posaçëm punoi dhe riparoi varrin. Në fakt, pasi që kryqi i dëmtuar pothuaj se nuk ekzistonte fare, u punua prej gurit nga trojet e Malësisë kryqi i ri me përmasat e vjetra, kurse pjesët tjera të varrit mbetën ato që ishin; u rivendosën ashtu si kishin qenë ç’prej atëherë kur ky varr i ishte punuar kësaj fisnike trimëreshë nga kushëriri i saj Dedë Nika, tek i cili u rrit, jetoi dhe veproi bashkë me të pasi që babai e kishte lenë të mitur.
Tringa që vajza e vogël e Smajlit, bijë e atij burri patriot, fisnik, trim, besnik e luftëtarë i pa shoq me zëmër bujare e të fortë si guri i këtyre anëve, që nuk diti të frikësohet as prej turkut e as prej shkjaut. Shumë herë si bajraktarë i ka pri Grudës në luftëra të shpeshta me turqit dhe me shkijet dhe çdo herë ka dalë faqe bardhë. Prandaj rapsodët i kanë thurë edhe kënga si kjo: “ Smajl Martini bajraktarë, i priu Grudës e duel n’Luhar, Rashoviqit i dha zjarr… hini zjarri në Sjenicë, dalin shkinat t’ue bërtit…” etj.
Për ta hekë qafe këtë “bela” siç thonin turqit e kapin me tradhti Smajlin dhe e internojnë me disa malësorë në Diaribekir – Turqi ku mbas katër vitesh plotë vuajtje e mundimesh vdes larg Malësisë që e deshti aq fortë.

Për të mos i lënë në harresë veprat dhe përpjekjet e burrave dhe burrneshave të Malësisë martire, ne si brez i cili po jetojmë dhe veprojmë në vitet e para të shekullit 21 kem obligim por edhe nderë që njëherë e përgjithmonë të i jetësojmë ata persona që lanë gjurmë të mëdha në historinë e lashtë të Malësisë. Përndryshe, brezat që do të vijnë mbas nesh do të na akuzojnë me plotë të drejtë për mos përkushtim dhe kujdes.
Në Malësi: Hot, Grudë, Triesh e Kojë që me padrejtësi u ndanë me gurë e kufi prej tokës nënë nga forcat e mëdha evropiane që moti dhe u lanë në duart e pamëshirshme të armikut tonë shekullorë sllav. Derisa të tjerët – të huajit, personave jo edhe aq të njohur u thurin lavdi; ngrisin lapidare, pllaka përkujtimore etj. Me emrat e tyre emërtohen rrugë e sheshe, kurse ne nuk kemi guxim as fuqi që së paku kullat e tyre ku linden të i ruajmë si vlera të posaçme kulturo-historike e jo më të ngrisim përmendore.
Si individ që i çmoj, i respektoj dhe i vlerësoj shumë veprat dhe përpjekjet e këtyre trimave dhe trimëreshave, apeloj tek shoqatat, individët dhe njerëzit e vullnetit të mirë që të angazhohemi dhe të formojmë fonde me qellim që në të ardhmen këtyre figurave të shquara historike të Malësisë të u ngrisim përmendore.
Mërgimtarët e kanë ndihmuar dhe do të ndihmojnë Malësinë edhe në këtë drejtim. Deda, Smajli, Tringa, Nora e shumë e shumë tjerë e meritojnë një përkushtim të tillë.
Shpresoj se do të hasë në mirëkuptim dhe prkrahje ky mëndim tek shoqatat dhe mërgimtarët shqiptarë nga gjitha trojet e veçanërisht nga Malësia.

Të gjithë lexuesit dhe shikuesit e portalit “Malësia.org” me këtë rast i përshëndes dhe uroj një jetë sa më të lumtur – paçi fat, shëndet dhe begati në familjet tuaja!
Përshëndetje dhe urime të veçanta kam për stafin drejtues të Malësia.org për realizimin e emisionit të ri Malësia TV – Urime!

Me nderim dhe respekt ,
Gjelosh Gjoka Ivezaj
Malësi – Maj 2009

Varri i Tringë Smajles

Varri i Tringë Smajles

Kullat e Bajraktarëve të Grudës
Kullat e Bajraktarëve të Grudës – Kshevë

Smajl Martini - Bajraktarë i Grudës
Smajl Martini – Bajraktarë i Grudës

Tringë Smajla
Tringa e Smajlit