Statusi i Komunës në këmbim për votat e Malësisë

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe përfaqësuesit e partive shqiptare janë duke negociuar për themelimin e Komunës së Tuzit/Malësisë, pa mbajtjen e referendumit konsultativ.

Sipas modelit në të cilin nënkryetari i DPS-se, Svetozar Marovic, është duke negociuar me përfaqësuesit e partive shqiptare, Tuzi do të kishte të gjitha kompetencat e Komunës, por do të ishte brenda kufijve administrative të Podgoricës dhe shuma e përgjithshme e buxhetit do të përcaktohej nga autoritetet e Podgoricës, njofton e përditshmja Vijesti.

Në praktikë kjo do të thotë, ashtu si dhe qeverisjet tjera lokale, udhëheqësia lokale e Tuzit do të menaxhojnë me buxhetin e saj që trajton pagat e të punësuarve në administratën e saj, dhe përcaktimin e prioriteteve të infrastrukturës në territorin e Malësisë.

Njëri nga pjesëmarrësit në negociata, për Vijesti thekson se, është e qartë se dhënia e statusit të Komunës për Tuzin është e pashmangshme, por që duhet gjetur një mënyrë reale. Ai sqaron se të gjitha studimet relevante kanë treguar se Malësia nuk ka potenciale ekonomike që të vetëfinancohet dhe për këtë arsye po ofrohet zgjedhja më e mirë e mundshme në këto momente. Megjithatë, sipas tij, çdo gjë është ende nën negociata dhe modeli përfundimtarë do të varet nga serioziteti i negocuesve por edhe i disponimit të qytetarëve.

Sipas pjesëmarrësve në negociata, edhe pse Malësia do të kishte statusin e Komunës, oferta nënkupton se qytetaret e Malësisë edhe më tutje do të votonin në zgjedhjen e udhëheqësisë në Podgorice.

Para se të nënshkruhet ndonjë marrëveshje e mundshme, përfaqësuesit e partive shqiptare do të duhej të organizojnë takime publike me qytetarët e Malësisë, ku do të sqaronin detaisht në lidhje me modelin e statusit të Komunës së Malësisë. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo nuk është vetëm çështje e interesave partiake por para së gjithash, është çështje e qytetarëve të Malësisë të cilët jetojnë në këtë trevë. /MALESIA.ORG/