Lulgjuraj akuzon Gjeloshajn për “flirtim” ndaj DPS-së

Kole Lulgjuraj - Nik GjeloshajËshtë e zakonshme, për të keq, fakti që disa përfaqësues të subjekteve politike, në prag të vendimeve të rëndësishme në Parlamentin e Malit të Zi garojnë se kush do të jetë më afër qeverisë aktuale, duke flirtuar me shumicën parlamentare, shprehët kryetari i këshillit të SNP-së për Tuz, Kolë Lulgjuraj.

Prandaj as nuk befason deklarata për medie e Nik Gjeloshaj, i cili paralajmëron mbështetje të pakushtëzuar për qeverinë e Milo Djukanovic-it në prag të votëbesimit e cila do të votohet më 25 janar në parlament. Por në anën tjetër, habitë deklarata e Gjeloshajt i cili thotë se Alternativa Shqiptare kurrë nuk do të përkrahë qeverinë në të cilën do të jenë ata të cilët ofendojnë pakicat kombëtare. Gjeloshaj harron se partia në pushtet – DPS, është ajo që me vite dhe dekada nuk plotëson premtimet parazgjedhore dhe kërkesa legjitime të qytetarëve të Malësisë për komunë të plotë. Ai gjithashtu harron se DPS asnjëherë nuk ka respektuar marrëveshjet me përfaqësuesit e partive shqiptare në realizimin e kërkesave legjitime dhe interesave të popullsisë shqiptare në Mal të Zi, duke filluar nga viti 1997”, ka thënë Lulgjuraj, shkruan CDM.

Lulgjuraj thekson se me përkrahje të Gjeloshajt, DPS-ja vazhdon të mashtrojë qytetarët e Malësisë me një formulë të re për komunë, me nënshkrimin e marrëveshjes për Komunë në kuadër të Kryeqytetit, e cila do hyjë në fuqi veç në vitin 2018.

Partia e Gjeloshajt këtë fakt e kalon në heshtje dhe arsyetohet se nuk e ka përkrahur ligjin e ri për organizimin territorial, me të cilin statusi i Komunës urbane të Tuzit bëhet edhe më i pafavorshëm për qytetarët e Malësisë. Gjeloshaj gjithashtu mashtron opinion kur thotë se partia e tij nuk ka përfaqësues politik në Qeveri dhe se nuk ka marrëveshje koalicioni me partitë në pushtet. Duket se Gjeloshaj ka harruar se edhe ai vetë ishte ulur në departamentin e Ministrisë së Arsimit dhe pasi është bërë deputet, vendin e tij ja ka lëshuar kolegut të partisë së tij në Drejtorinë e Arsimit për pakicat”, tha Lulgjuraj.

Ai tha se nuk habisin sjelljet e Gjeloshajt, pasi, sipas tij, ai vetë rrinë në parlament duke mos-respektuar marrëveshjen e koalicionit me LdnëMZ-në, duke përvetësuar gjysmën e dytë të mandatit sipas marrëveshjes.

Lulgjuraj thekson se dikush i mundëson (Gjeloshajt) një sjellje të tillë, dhe për këtë, në anën tjetër, ai duhet të japin përkrahjen e parezervë ndaj pushtetit aktual.

Ai rikujtoi Gjeloshajn edhe për iniciativën e SNP-së në lidhje me kompensimin e përjetshëm për nënat me tre apo më shumë fëmijë, të cilën, siç thotë ai, ka ndërruar qëndrim vetëm kur e ka vërejt se propozimi ka shumicën e nevojshme.

“A nuk e konsideroni ofendim mos-respektimin e të drejtave të pakicave nga ana e DPS-së, siç është komuna e plotë për Malësinë”, përfundon Lulgjuraj. /MALESIA.ORG/

Lidhur: Gjeloshaj: Gati të jemi pjesë e qeverisë nëse na respektojnë