Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, pas takimit me zyrtarët më të lartë malazezë dhe me përfaqësuesit e partive poltike shqiptare në Podgoricë, Ulqin dhe Tuz, vlerësoi se shqiptarët në Mal të Zi kanë dhënë një kontribut të veçantë në pavarësinë e Malit të Zi dhe do të vazhdojnë të jenë element shumë i rëndësishëm për agjendën evropeanizuese të Malit të Zi dhe ky është kontributin më i mirë që do të japin edhe për plotësimin e të drejtave që u takojnë. “Shqiptarët në këtë republikë kanë qenë element thelbësor për pavarësinë e Malit të Zi dhe për atë që ky shtet ka arrijtur sot . Ata do të jenë në të ardhmen një lement shumë i rëndësishëm edhe për integrimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe në Nato. I gjithë ky proces besoj se do të sjellë edhe plotësimin e të drejtave që u takojnë shqiptarëve në këtë shtet i cili synon hyrjen në Evorpë”, tha Meta. Ai, duke mos dëshiruar të hyjë në çështjen e organizimit politik të shqiptarëve, u shpreh se demokraciae ka të qenësishme debatin dhe dallimin, por në mënyrë konstruktive. “Është përgjegjësi e liderëve politikë shqiptarë për mënyrën e organizimit të tyre. Ne nuk dëshirojmë të hyjmë në çështje të brendshme të organizimit të shqiptarëve në Mal të Zi. Për ne është e rëndësishme që ata të bashkpunojnë me njëri tjetrin, të bashkëpunojnë me qeverinë dhe institucionet shtetërore për të avancuar të drejtat e tyre. Për ne është e rëndësishme të respektohet kushtetuta në Mal të Zi dhe të drejtat që u takojnë pakicave, natyrisht edhe shqiptarëve. Është e rëndësishme që shqiptarët të integrohen sa më shumë dhe sa më profesionalisht e mundur në të gjitha nivelet e administratës shtetërore, pastaj të ketë investime në zonën ku ata banojnë për të zhvilluar ekonominë, turizmin dhe për të hapur vende tjera pune.
Liderët shqiptarë u shprehën të pakënaqur me përfaqësimin politik e proporcional të shqiptarëve në organet vendore e qëndrore në ato vende ku ata janë autokton, me decentralizimin e psuhtetit, me privatizmin, me punësimin, me boshnjakëzimin e Malësisë e shumë çështje të tjera.
Përfaqësuesit e subjekteve politke shqiptare në Mal të Zi në takimin e ngrohtë vëllazëror me z. Ilir Meta ia qanë hallet e tyre të shumta. Ata në vlerësimet e tyre u pajtuan se pozita aktuale e shqiptarëve në Mal të Zi nuk është e kënaqshme dhe se subjektet politke shqiptare kanë shumë punë për të bërë që statusi i shqiptarëve të përmirësohet.
Përfaqësuesi i partisë së vetme shqiptare qeveritare, Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Ferhat Dinosha, njëherazi edhe ministër për të drejtat dhe liritë e pakicave u fokusua sidomos në bashkëpunimin në fushën e arsimit, në nevojën që të kihet një marrëveshje ndërshtetërore për njohjen e diplomave ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, gjë të cilën, siç tha ai, do ta inicojë në qeverinë malazeze, për të krijuar një komision mikst i cili do të merret me çështjen e arsimit shqip në Mal të Zi. Dinosha kërkoi nga Tirana të ndihmojë që vitin e ri akademik të kemi një fakultet të ri në gjuhën shqipe në Mal të Zi, sepse fakulteti i tashëm i mësuesisë faktikisht po përmbush nevojat për ciklin e ulët shkollor.
Lideri dhe deputeti i LD në MZ, Mehmet Bardhi kërkoi nga z. Meta hapjen e dy pikave të rerja kufitare me Shqipërinë: në Skje të Krajës dhe në Tiresh, shpejtimin e procedurës në kalimin kufitar në Sukubinë-Muriqan nënshkrimin e një marrëveshjeje për kalimin e vogël ndërkufitar në mes të bashkive në kufi në mënyrë që shqiptarët andej dhe këndej kufirit të kenë një qarkullim të lirë të prodhimeve të ndryshme. Bardhi u shpreh i pakënaqur me përfaqësimin politik e proporcional të shqiptarëve në organet vendore e qëndrore në ato vende ku ata janë autokton, me decentralizimin e psuhtetit, me privatizmin dhe me punësimin e shqiptarëve.
Deputeti i Lëvizjes Qytetare “Perspektiva” ; Vasel Sinishtaj potencoi nevojën e rikthimit të komunës së plotë të Malësisë, përshpejtimin e procedurës për lirimin e shqiptarëve të burgosur në aksionin policor “ Fluturimi i shqiponjës” në shtator të vitit 2006 përmes institutit që ka në dorë presidenti i republikës , Filip Vujanoviq dhe njohjen e lirive dhe të drejtave të pakicës shqiptare konform Kushtetuës malezeze dhe akteve tjera ndrëkombëtare, siç janë të drejatat në fushën e arsimit, informimit, përdorimin e simboleve nacionale, punësimi proporcianal në administratën lokale e shtetërore etj.
Edhe kreu i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu parashtroi pothuaj probleme të njëjta sikur krerët e tjerë të subjekteve politike shqiptare.Ndërkaq kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, paralajmëroi se studentët nga Ulqini që studiojnë në universitetet e Shqipërisë së shpejti do të mund të kalojnë kufirin pa pasaportë me letërnjoftim.
Gjekë Gjonaj, Ulqin