Në kuadër të projektit “Nga idetë fiktive të hoteleve tek ato reale për forma inovative të turizmit” i cili realizohet në kuadër të programit Interreg IPA South Adriatic 2021/2027, të mërkurën në Ulqin u mbajt aktiviteti me titull “Workation si model inovativ në turizëm”.
Përfaqësues të Organizatës Nacionale Turistike të Malit të Zi, përfaqësues të Komunës së Ulqinit, Universitetit të Shkodrës, profesorë nga Universiteti i Salentos në Itali, pastaj përfaqësues të kompanive hoteliere, shoqatave të biznesit, institucioneve publike, shkollave profesionale dhe agjencive turistike nga Shqipëria e Mali i Zi, morën pjesë në panelin dhe diskutimet që u zhvilluan gjatë këtij aktiviteti.
Format e reja të trendeve të turizmit të qëndrueshëm, eko-turizmi, turizmi i eksperiencës, turizmi transformues, slow travel (turizmi i ngadaltë), turizmi kulturor, turizmi “Bleisure” i cili përfaqëson një kombinim të biznesit dhe kohës së lirë, ishin disa nga temat hyrëse në këtë sesion.
Elaborimi i modelit të ri në turizëm të quajtur “workation” e që nënkupton “punë nga një destinacion turistik”, ishte qëllimi kryesor i këtij sesioni trajnues. Ekspertët dhe panelistët e angazhuar në këtë takim shpjeguan në detaje aspektet kryesore të këtij koncepti, llojet më të shpeshta të kësaj forme në turizëm, përfitimet që sjell “workation” për punonjësit, për vetë kompanitë, por edhe për destinacionet turistike në të cilët këto “vizitorë dixhital” qëndrojnë.
Gjatë sesionit u prezantuan shembuj të shumtë nga destinacione të ndryshme evropiane dhe botërore ku modeli “workation” u bë i popullarizuar pas pandemisë COVID-19 dhe të cilët shërbejnë si modele të praktikave të mira në këtë fushë.
Projekti realizohet nga Universiteti i Salentos (Itali), SviluppoItalia Molise, “People in Focus” (Shqipëri), OJQ Horizonti i Ri (Mali i Zi) dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian.