Takohen liderët e DPS-së, Socialdemokratëve, Partisë boshnjake, Alternativës Shqiptare, Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Partisë Demokratike, Forcës, Partisë Liberale dhe Iniciativës kroate.
Me iniciativën e DPS-së, sot në Podgoricë u zhvillua takimi me partnerët e koalicionit parlamentarë, në të cilin përveç liderëve të DPS-së, morën pjesë liderët e Socialdemokratëve, Partisë boshnjake, Partisë Liberale, Iniciativës kroate dhe partive shqiptare; Alternativës Shqiptare, Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Partisë Demokratike dhe Forcës.
Nga DPS deklaruan se kanë rënë dakord për veprim të përbashkët për të ruajtur vlerat themelore të Malit të Zi.
“Duke u nisur nga rezultatet e arritura në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 30 gusht, në takim unanimisht u dakordua për veprimin e përbashkët të këtyre partive për aleancë evropiane, qytetare e antifashiste të Malit të Zi, e cila do t’i kushtohet ruajtjes së arritjeve dhe vlerave themelore, me të cilat Mali i Zi njihet sot, dhe të kontribuojë në zhvillimin demokratik dhe ekonomik dhe arritjen e cilësisë evropiane të qytetarëve”, deklaruan nga DPS-ja.
Rikujtojmë se DPS ka fituar 30 mandate dhe së bashku me partnerët aktual ka 38 mandate. SDP-ja si ish partner i DPS-së e cila ka fituar 2 mandate, ende nuk është deklaruar se cilit bllok i takon. Edhe në rast se SDP-ja i bashkohet DPS-së, ata nuk mund të formojnë shumicën me 40 mandate. Në anën tjetër tre koalicionet opozitare së bashku kanë 41 mandat, me çka kanë shumicën dhe pritet se do të formojnë qeverinë e re, me të cilën pas 30 vitesh do të dërgojnë DPS-në në opozitë.
MALESIA.ORG