Të drejtët nuk vdesin

vaselmirashcamajIshte e shtuna e 22 gushtit të këtij viti, kur nga oborri i Gjimnazit në Tuz, një grup malësorësh dhe shqiptarësh të ardhur edhe nga Shqipëria e Kosova do drejtohej drejt Hotit, gjegjësisht drejt Lugjeve të Thella për të përkujtuar 70 vjetorin e pushkatimit të dy shqiptarëve nga këto troje etnike që gjenden në Mal të Zi, fjala është për Pater Zef (Leonard) Tagaj dhe Vasel Mirash Camaj.

Dora e zezë e armikut shekullor nuk do ngopej me gjakun e bijve më të mirë të Malësisë dhe më gjërë. Ditën e 19 shkurtit të vitit 1945, ditë dimri e ftohtë, komunistët partizan jugosllav do të eliminonin fizikisht Pater Zefin dhe Vasel Mirashin, e sikur mos të mjaftonte vetëm kaq, ata i pushkatojnë në Lugje të Thella me qëllim që t’u zhdukin emrin, veprën dhe çdo gjë të tyre nga sipërfaqja e dheut. Eliminimi i tyre fizik bëhet larg syve të njerëzve me qëllim që të humbin pa shenjë, por armiku nuk e kishte kuptuar ende se një ditë çdo gjëje i vjen fundi dhe e vërteta del në dritë sado thellë që është varrosur.

Në orën 8.30 të mëngjesit, grupi që ishte pranë Gjimnazit në Tuz, u nis drejt Lugjeve të Thella të Hotit. Ajo ishte dita kur do të vulosej përjetësia për Vasel Mirashin dhe Pater Zefin. Me makina vajtëm deri të Kisha në Traboin, e pastaj për rreth 20 – 25 minuta në këmbë nëpër kodra dhe gropa për të mbërritur në vendin e “gjakut të shenjtë”, aty ku dy lisa ranë për tokë nga plumbat e armikut. Pas mbërritjes së grupit në vend ngjarje, u bë zbulimi i Pllakës përkujtimore të këtyre dy kolosëve të atdheut. Zbulimin e pllakës e bëri i biri i Vasel Mirashit – Gjoni, kurse të pranishmit i përshëndeti nipi i Vasel Mirashit – Dedë Nika. Në këtë ceremoni morën pjesë: profesor e akademikë nga troje të ndryshme të Atdheut, klerikë, personalitete të njohura të shoqërisë civile etj.

Pas ceremonisë që zgjati rreth 15 minuta, turma e njerëzve iu drejtua Qëndrës Informativo – Kulturore në Tuz, ku u mbajt akademia përkujtimore për bijtë e atdheut Patër Zefin dhe Vasel Mirashin. Në këtë orë solemne morën pjesë personalitete të shquara të kombit shqiptar. Enkas kishin ardhë profesor nga Shkodra, nga viset tjera të Atdheut, klerikë të dy besimeve etj. Fjalët përshëndetëse u mbajtën nga: Prof. Dr. Frashër Demaj, Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, Prof. Dr. Martin Berishaj, Don Nikë Ukgjini etj, kurse në emër të dy familjeve Camaj dhe Tagaj fjalën përshëndetëse e mbajti Tomë Nikë Camaj, nipi i Vasel Mirashit. Në mbrëmje pastaj, familja Camaj kishte shtruar edhe një darkë për musafirët.

Patër Zefin dhe Vasel Mirashin, pothuajse i kishte mbuluar pluhuri i harresës për 70 vjet. Aty – këtu ndokush fliste për ta, por Atyre nuk u ishte dhënë vendi i merituar. Në Malësi ka patur edhe pushkatime të tjera në mënyrë të ngjajshme, por që këtu nuk gjykoj të drejtë t’i përmend sepse dua që të flas vetëm për rastin konkret.

Në Malësinë tonë të dashur, çdokush është kritikuar për veprimet e tij e shpesh edhe paragjykuar e tentuar që të poshtërohet në mes të vendit të vetë. Shumë heronj dhe dëshmorë të Malësisë që dhanë jetën, fatëkeqësisht nuk e kanë zënë vendin e merituar ende. Shumë pak kemi bërë për ta, kurse ata kanë dhënë gjënë më të shtrenjtë – jetën për ne. Disa nga ata as varret nuk dihet se ku i kanë. Kjo është për të ardhur keq dhe për tu turpëruar se në cilin drejtim është mveshur sot malësori. Sot, familja Camaj meriton çdo respekt që Gjyshit të tyre Vasel Mirashit i ndërtuar altarin e lirisë, përjetësinë historike së bashku me Patër Zefin. Vetëm me datën 22 gusht 2015, Vasel Mirashi pushon i qetë në tokën e Malësisë sepse nëse pushteti i atij shteti që ishte para 70 vjetëve e pushkatoi, u mundua të ia humb emrin, veprën dhe të shfarosë së bashku me Patër Zefin, Perëndia (e drejta dhe e vërteta) nuk la që të humb dhe ta mbuloi errësira e përjetshme kolosin atdhetar të Malësisë së bashku me fratin e Traboinit. Nipat e Vaselit dhe gjithë Familja Camaj kontribuan që Gjyshit të tyre ti japin një vend të merituar në historinë e Malësisë. Familja Camaj dhe Tagaj faleminderit që na dhatë bij kaq të mëdhenj që duhet të jenë shembuj për brezat që do vijnë.

Lavdi u qoftë përjetë Patër Zefit e Vasel Mirashit. I lehtë u qoftë dheu i tokës së Malësisë të cilën e deshën aq shumë sa që flijuan edhe jetën e vet.

Me nderime dhe respekt

Anton Lulgjuraj