Artistë, anëtarë e veprimtarë të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” kanë organizuar të martën një takim përkujtues në lartësim të kujtimit për veprën e madhe atdhetare e humane në 10 vjetorin e vdekjes së hershme të këtij malësori, emrin e të cilit me krenari e mbanë kjo Shoqatë. Në fillimet e takimit kryetari i Shoqatës Ukshin Jashari dhe nënkryetari Sali Lukaj kanë shpalosur pjesë nga biografia e të ndjerit Martin Dreshaj.
“Martini kishte një jetë të shkurtër, por stoliset me vepra të mëdha atdhetare e humane. Ai bashkë me malësorët e tjerë kishte hapur shtëpitë e zemrat për qindra e qindra shqiptarë të Kosovës që po zhvendoseshin dhunshëm nga dora vrastare serbe në kohët e katrahurave. Martini uronte që liria në Kosovë të agojë dhe që shqiptarët e të gjitha trojeve të jenë gjithmonë bashkë në një sofër , në një këngë e në një valle. Vdekja e hershme e rrëmbeu, por emri i tij është i pranishëm në të gjitha festat e mëdha të Kosovës. Emri i tij bashkon vëllezërit e tij kudo janë në Kosovë, Malësi e trojet tjera etnike”, është shprehur kryetari Jashari. Nënkryetari Lukaj duke ndërlidhur faqe nga biografia e Martinit të ndjerë ka bërë bashkë edhe faqet e angazhimeve të shumta të Shoqatës që me krenari mbanë emrin e këtij malësori.
“ Me emrin e tij krenohemi. Ky emër dhe vepra e tij e madhe humane e atdhetare na shton forcën për të punuar sot e gjithmonë e për t’i bërë bashkë shqiptarët ashtu si ishte dëshira e madhe e Martinit të ndjerë. Në çdo përvjetor të vdekjes së tij të hershme betohemi se do të punojmë pa u ndalur për realizimin e porosisë së tij për shqiptarët në një këngë e në një valle tok”, ka thënë Lukaj.
“Tronditës në Malësi e Kosovë ishte 10 shkurti i vitit 1999. Miqtë e shokët e këtij burri të madh nuk I besonin lajmit se Martini ka ndërruar jetë. Ata u munduan të forcoheshin për të qenë dinjitoz e për të vazhduar rrugëtimin e nisur. Martinin vdekja e mori të ri dhe pa parë me sytë e tij realizimin e ëndrrës. Pa i parë forcat pushtuese në Kosovë të thyera e të dërmuara nga UÇK-ja e NATO-ja, por shokët e tij i plotësuan porosinë dhe po bëhen bashkë përmes shoqatës në festa, gëzime e pikëllime”, ka thënë Rrahman Jasharaj.
Pas kësaj aktorët e Shoqatës kanë recituar vargje të zgjedhura, një pjesë e të cilave ishin shkruar edhe për Martinin.
“Dallgët e luftës na sollën pranë teje,
Na e hape derën e shtëpisë, Ti zemrën na e fale,
Na e lehtësove dhembjen për Kosovën e plagosur,
O krenari e Malësisë së Madhe”…
Ishin këto fragmente të recituara nga aktorja Qëndresa Jasharaj. Ajo pastaj ka evokuar kujtime nga fëmijëria kur po gjendej në Malësi e zhvendosur dhunshëm nga Kosova.
“ E shikoja me respekt axhën Martin dhe ishte ashtu si më kishte treguar babai. Malësor i vërtetë dhe me virtyte të larta të një njeriu plot humanizëm. E tillë ishte e tërë Malësia dhe jam krenare pse jam pjesë e Shoqatës që mbanë me krenari emrin e tij”, është shprehur Qëndresa. Kujtime plot mall nga takimi me Martinin e me malësorë të tjerë ruan me xhelozi edhe aktori me emrin Qëndrim.
“Ejani me mua vëllezër,
Malësia ka bukë e krip
Dhe zemër të bardhë ,
Së bashku do t’i ndajmë”, ka recituar bukur Qëndrimi vargje nga një poezi tjetër kushtuar Martinit.
Me respekt për jetën dhe veprën e Martinit ka folur edhe veprimtari i Shoqatës, Frashër Rraci. Ai është shprehur krenar për gjithë aktivitetet që ka bërë Shoqata me emrin e këtij malësori të nderuar dhe ka shprehur bindjen se kjo veprimtari do të jetë edhe më e begatë në të ardhmen, gjithnjë në shenjë kujtimi e respekti për Martinin dhe gjithë bujarinë e mikpritjen e tërë Malësisë.
Rrahman Jasharaj