Genci Nimanbegu, kandidat kryesor i “Forcës” për deputet

Nënkryetari aktual i Forcës së Re Demokratike- Forca do të jetë kandidati kryesor për Paralmentin e Malit të Zi, ka vendosur Këshilli Qendror i kësaj parti, tha në konferencën e stome me gazetarë , kryetari, Nazif Cungu. Ky vendim legjitim i organeve përfaqësuese të Forcës nuk do të thotë se ky subjekt politik shqiptar do të dalë i vetëm në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 29 marsit, tha Cungu. Ai pohoi se vazhdojnë bisedimet me disa subjekte politike shqiptare rreth formimit te një koalicioni te mundshëm shqiptar duke shtuar se epilogu i këtyre bisedimeve do të dihet deri në fund të javës. Nënkryetari i Forcës, Genci Nimanbegu, duke e pranuar detyrën e ngarkuar nga partia e tij për të qenë kandidati kryesor në zgjedhjet parlamentare u shpreh i bindur se e meriton besimin e votuesve shqiptarë që të jetë një përfaqësues i denjë i shqiptarëve në Mal të Zi, sepse, siç theksoi ai do të angazhohet me gjithë energjinë dhe vullnetin e tij të palëkundur për të ndryshuar dhe përmirësuar gjendjen e të gjithë shqiptarëve në këtë republikë. “ Unë jam përfaqësues i një force politike të re, që sjellë një frymë perëndimore dhe evropiane në politikën shqiptare të Malit të Zi, e cila ofron një platformë të mirëfilltë elektorale që synon të zgjidhë problemet e popullsisë shqiptare dhe të përmirësojë kushtet e këtij komuniteti, duke u bazuar në parimet më të përparuara evropiane”, nënvizoi Nimanbegu.

Sipas tij këto zgjedhje parlamentare janë të një rëndësie të veçantë pasi japin mundësi për t’idhënë fund gjendjes së dëshpruar të deritanishme, braktisjes së trojeve shqiptare, varfërisë, diskriminimit, korrupsionit, mungesës së shërbimeve publike dhe infrastrukturës.

Gjekë Gjonaj, Ulqin

KOMENTOJE