Për shkak të kandidimit në listën e koalicionit shqiptar Perspektiva Sinishtaj dhe Çunmulaj përjashtohen nga Alternativa Shqiptare

Deputeti i Alternativës Shqiptare Vasel Sinishtaj dhe pesë kolegë të tij nga kryesia e ASH-së nuk janë më anëtarë të kësaj partie.
“Grupit të pakënaqur të ish anëtarëve të kryesisë së ASH-së të cilët pa vendimin e partisë kanë kandiduar në listën e grupit të qytetarëve “Perspektiva”, në bazë të statutit të ASH-së u pushon anëtarësia në parti”, kanë njoftuar nga ASH.
Me statutin e ASH-së parashikohet pushimi i anëtarësisë në parti nëse ndonjë anëtar i saj kandidohet në listat zgjedhore pa vendimin e partisë.
“Me këtë normë statutare Smail Çunmulajt (kryetar i KU Tuz), Vasel Sinishtajt, Lindon Gjelajt, Rexhep Çunmulajt, Rexhep Gjokoviqit dhe Mark Gegajt u pushon anëtarësia në parti pa ndonjë vendim të veçantë”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Në deklaratë thuhet se Nikollë Gegaj, me rastin e themelimit të partisë, ka deklaruar se është përcaktuar që të mos angazhohet partiakisht dhe se do të mbesë vetëm simpatizues i partisë, gjë që është konstatuar edhe përmes procesverbalit dhe për të nuk vlen vendimi në fjalë.
Në njoftim thuhet se ASH-së, gjegjësisht kryetarit të saj, i mbetet që sa më pare të thërrasë Kuvendin e jashtëzakonshëm dhe të kompletojë organet e partisë. /Koha Javore/

KOMENTOJE