Koha javore: Z. Dinosha, çfarë prisni nga këto zgjedhje parlamentare?
F. Dinosha: Unë pres që UDSH të dalë parti edhe më serioze në Parlamentin e Malit të Zi, do të thotë me më shumë vota. Më vjen keq që shqiptarët kanë dalë në shumë kolona, por në situatën që kemi mendoj se votuesi shqiptar do ta ketë të qartë se falë pozicionimeve të deritashme në skenën politike të Malit të Zi, UDSH mund të llogarisë me rritje të votave. Ne kemi numrin 12 i cili është dyshifror dhe e kemi zbërthyer kësisoji: numri 1 për një post në qeveri, kurse numri 2 për dy mandate në Parlament. Ne luftojmë për mandatin e dytë në Parlamentin e Malit të Zi.
Koha javore: Pse duhet t’Ju votojnë shqiptarët?
F. Dinosha: Ato që kanë shqiptarët sot më shumë seç kanë pasur në komunizëm i kanë falë nismave dhe projekteve të UDSH-së. Këtu duhet radhitur maternitetin e parë në Ulqin, Fakultetin e parë shqip në Podgoricë, komunën e parë urbane me rreth katër milionë euro buxhet, Ligjin e parë për simbole kombëtare, Ligjin e parë për të drejta dhe liri të pakicave, Këshillin e parë Nacional të Shqiptarëve që del nga ky ligj, Fondin e parë për Pakica, vendkalimet e reja kufitare me shtetin e amë – Republikën e Shqipërisë, dokumentin e parë në formë të Platformës për Statusin e veçantë të shqiptarëve në Mal të Zi që në vitin 2000, ndihmën e veçantë për pavarësimin e Malit të Zi; ne kemi qenë subjekti i vetëm që në mënyrë transparente i ka ftuar shqiptarët që të përkrahin pavarësinë e Malit të Zi, të bindur se pavarësia e Malit të Zi është paradhomë për pavarësinë e Kosovës. Koha na ka dhënë të drejtë meqë qeveria e shtetit të pavarur të Malit të Zi ka njohur pavarësinë e Kosovës jo shumë kohë pas shpalljes së saj. Pozicionimi i UDSH-së ka ndikuar që Mali i Zi zyrtar të ketë marrëdhënie gjithnjë e më të mira me Republikën e Shqipërisë dhe të tregojë gatishmëri për fqinjësi të mirë me Kosovën me të cilën presim që gjatë këtij viti të vendosen marrëdhënie diplomatike. Veç kësaj, nuk duhet harruar se gjatë bombardimeve të NATO-s, të provokuara nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, i vetmi subjekt shqiptar në Mal të Zi që ka pasur përfaqësuesin e vet në mikrofonin publik të Parlamentit të Malit të Zi ka qenë prapë UDSH. Në këtë mënyrë jemi të bindur dhe kjo na thuhet edhe në qendra të tjera shqiptare se UDSH është bërë emblemë e interesit politik e nacional të shqiptarëve në Mal të Zi dhe kontributor i pakapërcyeshëm në proceset demokratike në këtë shtet dhe në rajon.
Nëse hiqen këto që u numëruan dhe nëse duam të numërojmë projektet e realizuara të subjekteve të tjera shqiptare, atëherë fitojmë rezultatin zero.
Koha javore: Cila është përparësia Juaj në krahasim me bartësit e listave të tjera për deputetë që garojnë në vendvotimet në trevat ku jetojnë shqiptarët?
F. Dinosha: Unë si deputet në më shumë mandate në Parlamentin e Malit të Zi ia kam dalë të vendosi bashkëpunim të mirë jo vetëm me faktorin antimillosheviqian në Mal të Zi, por edhe me faktorin ndërkombëtar, sidomos me atë ameriakan. Janë mbajtur disa tryeza të rrumbullakëta edhe gjatë kohës së Millosheviqit, edhe më pas, ku temë bosht kanë qenë shqiptarët në Ballkan dhe unë kam marrë pjesë duke pasur ftesë nga amerikanët në të gjitha këto tryeza. Në to asnjëherë nuk kanë qenë përfaqësuesit e partive të tjera shqiptare, as shqiptarët e partisë në pushtet. Kështu që mendoj se kam krijuar logjistika për të vazhduar kontakte të mirëfillta me qendra vendimmarrëse kur është fjala për politikat rajonale dhe mendoj se kjo është një bazë e mirë për të marrë besimin e shqiptarëve për të vazhduar prezenca e përfaqësimit të tyre në të gjitha tryezat që janë me rëndësi jo vetëm për ecuritë në Mal të Zi, por edhe për ato rajonale.
Veç kësaj, projektet e sipër përmendura janë fryt i bashkëpunimit dhe sugjerimeve që kisha rastin t’i merrja nga përfaqësuesit relevantë të politikave shqiptare dhe nga dashamirë të çmuar të bashkësisë ndërkombëtare. Më duket se jam i vetmi përfaqësues i partive shqiptare i cili mund të mbajë ligjëratë në qendrat e rëndësishme ndërkombëtare pa patur nevojë për përkthyes, gjë që më ka ndihmuar edhe në mandatet e deritashme.
Nëse të gjitha këto mund të kenë pakëz konotacion subjektiv, unë dua të informoj lexuesin tuaj se Ferhat Dinosha është bartës i Medaljes së Artë të Lidhjes së Prizrenit të akorduar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova në vitin 2003, bartës i Çmimit Vjetor “Politikani modern për integrime” nga Festivali Ndërkombëtar “Imazhi shqiptar 2006”, bartës i Çmimit të lartë “Pjetër Bogdani” nga Unioni Artusitik i Kombit shqiptar në vitin 2009, bartës i mirënjohjes së Akademisë Diplomatike Shqiptare me rastin e 55-vjetorit tim, në shkurt të këtij viti, dhe bartës i titullit “Ambasador i Paqes” nga Federata Ndërkombëtare e Paqes – Tiranë, në mars të këtij viti. Jam edhe autor i një liri publicistik me titull “Një nënë kanë edhe bletët”, i botuar nga Akademia Diplomatike Shqiptare dhe autor i një përmbledhjeje me poezi, me titull “Lama e Doklit”. Te kjo përmbledhje hetohet një poet i cili pashmangshmërisht është dashur të bëhej deputet në fazën kur qenia kombëtare ishte në rrezik.
Bisedoi: I. Kallaba / Koha Javore