Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq zhvilloi konsultime me partitë

Shqiptarët të interesuar për të marrë pjesë në Qeveri
Partitë dhe listat shqiptare që përfaqësohen në Parlamentin e Malit të Zi, me përjashtim të Listës Shqiptare, kanë treguar gatishmëri për të qenë pjesë e Qeverisë së re të Malit të Zi, në konsultimet që kanë zhvilluar të martën me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, rreth mandatorit të Qeverisë së re të Malit të Zi.
Kryetari i UDSH-së, Ferhat Dinosha, ka thënë se kjo parti pret përfaqësim më të madh në pushtetin ekzekutiv dhe ka vlerësuar se do të ishte një arritje demokratike që njëri prej posteve të nënkryetarit të Qeverisë t’i takonte kësaj partie.
Forca e Re Demokratike, sipas kryetarit të saj, Nazif Cungu, është e gatshme të marrë pjesë në pushtetin ekzekutiv nëse programi i saj përputhet me parimet programore të kësaj partie.
As Koalicioni Shqiptar “Perspektiva” nuk e përjashton mundësinë e pjesëmarrjes në Qeverinë e re nëse koalicioni qeverisës iu ofron këtë, ka thënë përfaqësuesi i këtij koalicioni Vasel Sinishtaj.
Lista Shqiptare, e përbërë nga LD në MZ dhe Alternativa Shqiptare, nuk pret që të marrë pjesë në pushtet, por do të ketë disa kërkesa ndaj Qeverisë së re, kanë bërë të ditur kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi, dhe ai i ASH-së, Gjergj Camaj.
UDSH pret që të jetë përsëri e përfaqësuar në Qeveri.
“Qeveria e re duhet të jetë e vetëdijshme se do të ishte e mirë prania më e madhe e shqiptarëve në të dhe që, ndoshta, t’iu takonte njëri prej posteve të nënkryetarit”, ka thënë kryetari i UDSH-së, Ferhat Dinosha.
Ai ka theksuar se Mali i Zi ndodhet në procesin e integrimeve evropiane dhe evroatlantike dhe se “një shqiptar pragmatik, që i njeh këto rrjedha, do të ishte me dobi të madhe”.
Sipas tij, UDSH pret që edhe në Qeverinë e re t’i takojë posti i ministrit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, ka thënë se qëndrimi i Forcës rreth pjesëmarrjes eventuale në Qeveri do të jetë më i qartë pasi të bëhet zyrtar emri i mandatorit të ri.
“Ne kemi programin dhe parimet tona dhe, nëse ato do të jenë në pajtim me programin e mandatorit të ardhshëm, do të jemi të gatshëm të marrim pjesë në Qeverinë e re”, ka thënë ai.
Cungu ka përsëritur se Forca do të jetë në Parlament “një zë i ri jo vetëm për shqiptarët, por edhe për afaristët dhe tërë Malin e Zi”.
Kryetari i LD në MZ dhe deputeti i Listës Shqiptare, Mehmet Bardhi, ka thënë se takimin me Presidentin Vujanoviq e ka shfrytëzuar për inicimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me interesat e shqiptarëve.
“Qeverisë së re do t’i dërgojmë kërkesën për decentralizimin e pushtetit, që nënkupton formimin e komunës së plotë të Tuzit, kërkesat që kanë të bëjnë me statusin dhe të drejtat e shqiptarëve, ndërsa njëra prej këtyre kërkesave do të jetë edhe mënjanimi i kishës në majë të Rumisë”, ka thënë Bardhi.
Përfaqësuesi i Koalicionit Shqiptar “Perspektiva”, Vasel Sinishtaj, i cili ka marrë pjesë në takimin konsultativ me Presidentin Vujanoviq së bashku me deputetin e këtij koalicioni, Amir Hollaj, ka sqaruar se ky koalicion është i gatshëm të marrë pjesë në pushtetin ekzekutiv nëse te partitë qeverisëse ekziston gatishmëria për partneritet me të.
Sinishtaj ka thënë se ky koalicion do të angazhohet për arritjen e standardeve evropiane kur bëhet fjalë për të drejtat e pakicave.

KOMENTOJE