Me qëllim që zëri i Malësisë e për Malësinë e Madhe të dëgjohet në çdo cep të trojeve etnike, një delegacion i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” vizitoi Shkodrën, këtë qytet të këngës, valles e mikpritjes shqiptare. Kryetari Ukshin Jashari, nënkryetari Sali Lukaj, sekretari i përgjithshëm Frashër Rraci dhe zëdhënësi e koordinatori për bashkëpunim me trojet etnike, Rrahman Jasharaj thoshin me një zë se në kudër të kësaj vizite po bënin një rrugë e dy punë. Ata me admirim po shikonin çdo pëllëmbë të rrugës së re . Po shikonin me admirim edhe tunelin e Kalimashit, që i bëri trojet shqiptare aq të afërta. Po shikonin dhe , pa dashur, filluan të këndojnë duke shprehur kështu admirimin e krenarinë për këtë vepër të madhe të punës në truallin e Shqipërisë mëmë. Ky rrugëtim atyre u dukej i lehtë dhe i mrekulluar.
Pritje dhe takim vëllazëror në Shkodër
Rruga u harxhua shpejt. Delegacioni i Shoqatës u gjend në Shkodër. Ata po kënaqeshin me gjithë ato ndryshime pozitive. Po kënaqeshin me gjithë ato bukuri e atë frymë jete në këtë qytet të lashtësisë shqiptare. Ata aty janë bërë bashkë edhe me nënkryetarin Pal Dreshaj, që po vinte nga Malësia për t’u bërë pjesë e delegacionit. Edhe takimi me përfaqësuesit e Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” u bë pjesë e atmosferës së bukur e krenare. Kryetari Ndye Sanaj bashkë me veprimtarin sindikal e të kulturës , Aleks Dushi, kanë shpalosur aktivitetin dhe planet e Shoqatës “Dukagjini” për të dëgjuar pastaj me admirim e me një frymë për aktivitetet e shumta kulturore e atdhetare të Shoqatës “Martin Dreshaj”.
“Ndjehuni si në shtëpinë tuaj sepse Shkodra dhe e gjithë Shqipëria është truall i gjithë shqiptarëve. Jemi të nderuar me vizitën tuaj dhe tani e gjithmonë bashkë do të jemi në një valle, në një këngë e duke qarë të njëjtat halle”, është shprehur në përshëndetjen e tij Aleksi.
Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” , Ndue Sanaj, ka kthyer kujtimet në vitet e shkuara duke u ndalur të momentet e krenarisë së kombit. Ai ka shprehur edhe një herë respektin e gjithë Shkodrës e Shqipërisë për luftën e madhe për çlirimin e Kosovës dhe për trimat e lirisë dhe krenarisë së kombit.
“Adem Jashari dhe shumë e shumë trima të tjerë i shtuan faqe të ndritura historisë sonë. Tani duke qenë pranë njëri-tjetrit mund të bëjmë vepra të mëdha në kulturë, art, arsim e në sfera të tjera. Shqiptarët kudo janë në trojet etnike duhet të ndjehen si në shtëpinë e tyre dhe jam i sigurt se bashkëpunimi mes dy Shoqatave tona do të jetë i përjetshëm dhe shumë i frytshëm e në dobi të kombit”, është shprehur Sanaj. Bisedat vëllazërore pastaj nuk kishin të ndalur. Zëri i Malësisë dhe për Malësinë e Madhe jehoi edhe në këtë cep të atdheut. Pjesë e dhembshme e kësaj bisede ishte ajo për gjendjen e rëndë në Malësi. Shkodra, Dukagjini, Kosova dhe Shqipëria atë ditë me tërë zemrën ishin me Malësinë, me këtë vend të traditës, krenarisë, trimërisë e mikpritjes. Shkodranët kanë shprehur admirim për punën dhe aktivitetet e Shoqatës “Martin Dreshaj”. Veçmas janë admiruar angazhimet në mbrojtje të kërkesave legjitime të Malësisë së Madhe. Shoqatës i është shprehur respekt i lartë në përpjekjet për t’u bërë zë i vëllezërve në Malësi dhe zë mbrojtës i të burgosurve në burgun famëkeq të Shpuzit. Shoqata “Martin Dreshaj” vazhdon të lidh penjtë e Atdheut.
Shkodër, kujdes nga policët matrapaz e antikombëtar
Gjatë gjithë kësaj vizite të bukur delegacioni i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” po mblidhte kujtime të bukura për t’i shpalosur para kryesisë. Këto momente ishin të bukura e të shumta, por ja, si për sherr, ndodhin edhe pamje të pakëndshme. Në mëngjesin e ditës së dytë të vizitës, delegacioni po bënte rrugë drejt një takimi ne Shkodër me vëllezër nga Shoqatat atje. Ishte ora 6 e 45 minuta e atij mëngjesi të bukur. Pak kilometra nga Shkodra, afër fshatit Bërdicë, patrulla e policisë po bënte punën e saj. Delegacioni i Shoqatës, ashtu si janë mësuar në Kosovë, në shenjë respekti për policinë tonë, ngriti duart dhe përshëndeti ngrohtësisht këtë patrullë. Në vend të respektit të njëjtë, ndodhi diçka, që preku shumë këta vizitor. Njëri nga policët dha shenjë për ndalim dhe me zë të lartë kërcënoi kryesinë e Shoqatës. “ Kush u ka dhënë të drejtë të përshëndetni. Këtu askë nuk duhet ta përshëndetni hiç”, tha ai, që në pamje dukej sikur ndonjë policë serb. Ky farë qerrata polici filloi pastaj me kërcënimet dhe me tone s sjellje brutale kërkonte dokumentacionet dhe bastiste makinën. Kur ai pa mes dokumenteve të nënkryetarit Sali Lukaj edhe një librezë të UÇK-së, doli taktit fare dhe vazhdoi ta shtonte hidhërimin dhe sjelljet e këqija. Në sytë e këtyre vizitorëve ai po dukej tamam, si dikur ata policët e pushtuesit serbë. Një vendas , që po kalonte andej pari me motoçikletë, kur pa se makina kishte tabelat e Kosovës, ndali shpejtësinë dhe i hodhi ca të shara policit. Kjo bëri që ky farë polici, mbase me prejardhje të vjetër serbe, t’i jep urdhër vozitësit nga Kosova të ikte nga aty. Shteti shqiptar duhet të ketë kujdes për sjelljet e policëve të tillë sepse ka edhe mes tyre që nuk ia duan të mirën Shqipërisë e as kombit tonë. Me sjellje të tilla, nëse përsëritën, njerëzit mund të irritohen dhe të hezitojnë të udhëtojnë gjithë andej.
Kreu i Shoqatës e kupton se mes policëve shqiptarë mund të ketë edhe ndonjë element pro serb apo edhe i tëri të jetë këmbë e krye me Serbinë. Shoqata do ta vazhdojë me rrugëtimet për t’i lidhur penjtë e atdheut dhe sjelljet e tilla bastarde të një soji të keq prej polici nuk e ndalin dot këtë rrugëtim. Kombi ynë do të bashkohet edhe nëse i plas zemra e barku policit tekanjoz e pro serb te fshati Berdicë.
Rrahman Jasharaj