Çka u bë me ngritjen e përmendores së krye-heroit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Tuz?

Ngritja e përmendores së krye-heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në kryeqendrën e Malësisë, në Tuz është premtim shumëvjeçar i cili ka vazhduar të zvarritet nga viti në vit. Përveç asaj, edhe ideja origjinale e lokacionit u zhvendos, nga parku në qendër të Tuzit, në parkun e ri në periferi të Tuzit.

Premtimet për ngritjen e përmendores janë të vjetra, por më konkretet janë nga viti 2021.
Në fund të vitit 2021 dhe në fillim te vitit 2022, kryetari i atëhershëm i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, kishte deklaruar se përmendorja e Skënderbeut do të realizohet gjatë vitit 2022. Pastaj, në dhjetor të vitin 2022 Gjeloshaj deklaroi se përmendorja do të realizohet në vitin 2023, e që edhe ky afat u kalua pa sqarim.

Miratimi i vendimit të projektit u votua në Kuvendin e Komunës së Tuzit dy herësh, në dhjetor të vitit 2022 dhe në korrik të vitit 2023. Vendimi poashtu u miratua edhe nga Ministria e Kulturës e Malit të Zi.

Prandaj, nëse të gjitha procedurat institucionale janë kryer nga Komuna e Tuzit dhe Ministria e Kulturës, dhe në anën tjetër financimi nuk është problematikë, pasi siç dihet mërgimtarët kanë shprehë gatishmëri të sigurojnë mjetet financiare, dhe në këtë  mënyrë mos të preket buxheti i Komunës, atëherë nuk është e qartë pse gjithë kjo zvarritje!
Është e qartë dhe e dëshmuar se me një organizim të mërgatës, mjetet financiare mund të sigurohen brenda ditësh.

Në lidhje me këtë teme i jemi drejtuar Kryetarit të Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, përgjigjen e të cilit do ta publikojnë së shpejti.

/MALESIA.ORG/