Përgjigjja e kryetarit Lindon Gjelaj – është i bindur se përmendorja e Skënderbeut do të realizohet gjatë vitit 2024

Në pyetjen tonë lidhur me ngritjen e përmendores së krye-heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në kryeqendrën tonë në Tuz, e cila është zvarritur nga viti në vit e që nuk janë respektuar premtimet dhe afatet e miratuara nga ish-kryetari Nik Gjeloshaj dhe Kuvendi i Komunës së Tuzit, kryetari aktual i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj tha se është i bindur se përmendorja do të realizohet gjatë vitit 2024.

Më poshtë e sjellim përgjigjen e plotë të kryetarit Lindon Gjelaj:


E nderuar redaksi e portalit “Malësia.org”,

Pyetja juaj lidhur me ngritjen e përmendores së kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është pyetje e shpeshtë që po i bëhet udhëheqjes së Komunës. Andaj kërkon edhe përgjigje pak më të detajuar.

Ideja për ngritjen e një përmendoreje të tillë në Tuz kishte filluar nga grupi rreth piktorit tonë me famë botërore, Gjelosh Gjokajt, por që, edhe përkundër premtimeve të shumta të ish udhëheqësit të Podgoricës, ajo nuk u realizua.

Është e vërtetë se Vendimin për ngritjen e saj e mori ish-kryetari Gjeloshaj, që në vitin 2022, me pëlqimin e plotë të kabinetit.  Vazhdoi pastaj procedura, aspak e thjeshtë ligjore në organet shtetërore.

Aktivitetet për kërkimin e ofertave vazhduan menjëherë, por ishin disa gjëra të cilat paksa na kufizuan.

– Prej vendimit të kryetarit të Komunës sonë, u desh që, sipas dispozitave ligjore në fuqi,  për miratimin e idesë, e më vonë edhe për Vendimin për ngritjen e përmendores (pra u desh të deklarohen dy herë) edhe institucionet shtetërore, konkretisht Ministria e Kulturës, gjë që mori do kohë.

– Pas fitimit të miratimit nga Ministria e kulturës, për idenë dhe Vendimin (përsëri sipas ligjit dhe përsëri dy herë), kryetari i dërgoi ato në miratim Kuvendit të Komunës së Tuzit,  vendimi i të cilit hyri në fuqi më 1 gusht të vitit 2023.

– Ofertat e para ishin për një shumë marramendëse, të cilën buxheti i Komunës nuk do ta përballonte, dhe
– Koha e realizimit të vet objektit të përmendores sillej prej më së paku gjashtë e deri në 18 muaj.

Duhet pasur parasysh dimensionet e përmendores, punën rreth shkrirjes së copave të saj, pastaj saldimit të tyre e të tjera, për të ardhur deri te prodhimi final.

Sidoqoftë, ne nuk reshtëm së kërkuari oferta të reja me kushte, për ne të përballueshme, kështu që mund të themi se jemi në rrugë të mirë për realizimin e saj.

Për përcjelljen e veprimtarisë rreth përmendores së Kastriotit dhe vendosjes së saj, unë krijova Grupin punues, ku i ftova edhe shoqatat tona në diasporë, që me nga dy kandidatë nga secila, të marrin pjesë në të.

Që në gjysmën e parë të këtij viti, Grupi punues do të përcaktojë autorin e punimit, sipas ofertave të fituara, si dhe të mbyllë konstruksionin financiar, edhe për arsye se diaspora ka shprehur dëshirën që të jetë sponsoruese.

Unë jam i bindur se ngritja e përmendores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut do të realizohet gjatë vitit 2024 .

Besoj se shumë shpejt do të kemi informata më të detajuara, se kur pritet të përfundojë punimi dhe kur të bëhet vendosja e Skënderbeut në sheshin e ri të Malësisë, sikur edhe ka vendosur Kuvendi i Komunës.

E dimë se koha kalon, por një vepër e tillë kërkon edhe përgatitje maksimale, ngase ajo do të jetë pjesë e të gjithë neve sot, por edhe të gjeneratave që vijnë pas nesh, si simbolikë, por edhe si krenari kombëtare.

Për çdo gjë opinioni i interesuar do të informohet.

Me respekt për punën tuaj si portal malësor, që me dekada punon për të mirë-informuar jo vetëm opinionin malësor (si këtu, ashtu edhe në diasporë), por edhe atë shqiptar në përgjithësi,

I juaji
Kryetari i Komunës,
Lindon Gjelaj


Falënderojmë kryetarin Gjelaj për gatishmërinë dhe korrektësinë gjatë komunikimit.

/MALESIA.ORG/