Këtyre ditëve plot vapë temperatura njeriut i shtohet nga deklarimet neveritëse të liderëve nga partitë pozitare e opozitare në Kosovë e Shqipëri. Këtu e atje e gjithë përplasja dhe lufta bëhet për pozita e kolltukë. Shahen në Shqipëri për votat e për pozitat, shahen në Kosovë pozita e opozita dhe, prapë jo për ardhmërinë e vendit e kombit, por për pozita. Ik një “ atdhetar” e “luftëtar” i demokracisë nga një parti në tjetrën për të gjetur një pozitë më të mirë NËN DARDHË. Në shkolla nuk ka as shkumësa sa duhet e për zgjedhjet kërkohen mijëra kamera. Këtu shihet atdhetarizmi. Kamerat kërkohen sepse mes subjekteve ka humbur besimi. Të gjithë nga ta ishin në pushtet pas luftës dhe e kërkuan bukurinë e kolltukut dhe , sikur janë mësuar me dredhitë, sepse nuk i besojnë njëri-tjetrit po duan kamera për zgjedhjet .
Këto përshtypje i nxjerr njeriu nga mediat elektronike në Kosovë e Shqipëri në kohën kur varfëria ka zënë për fyti mijëra familje në gjithë trojet etnike. Në kohën kur në Malësi ende janë nën pranga do burra malësorë, që fajin e vetëm e kishin pse ishin tamam shqiptarë . Edhe në Kosovën Lindore kriminelë me maska e me uniforma të policisë vrastare serbe bastisin shtëpi e burgosin djem të rinj dhe gjithë kjo nuk lë përshtypje te liderët në Kosovë e Shqipëri. Këta janë liderë bajraktarë dhe me ta nuk bëhet bashkimi kombëtar.
Shih, çka flas edhe unë, BASHKIMI KOMBËTAR! Me ta , jo bashkimi kombëtar, por nuk bëhet dot as edhe shteti t’i ngjaj shtetit. Shqiptarët po mbesin në geto dhe asgjë. Një intelektual më pyeti mua me hidhërim pse vetëm ne në geto , a thua nuk po i dëgjon Evropa dëshmitë dhe ankesat e protestat e liderëve shqiptarë?, më pyeti ai.
– Nuk kanë bërë as edhe një ankesë ata more shoq, ia ktheva dhe që të mos i mbetem borxh shtova- Po ata kanë pasaporta diplomatikë dhe ikin e shkojnë kudo u teket. Ata i kanë plot xhepat para dhe shkojnë në pushime , jo në këto plazhet e Ballkanit të trazuar, por në vende eminente, që ua ka lakmi edhe Barak Obama. Ky intelektuali iku në punën e vetë e unë u ndala e mendova pastaj me kokën dhe shënimet e mia.
– Sikur të 120 parlamentarët e Kosovës të ndanin nga 50 euro nga rrogat e tyre evropiane për skamnorët e fëmijët e dëshmorëve, sikur të gjithë ata që kanë shkuar e po shkojnë në pushime deteve të ndanin nga një euro në ditë, sikur këngëtarët e estradës të ndanin nga pak euro nga mbrëmjet e tyre nëpër dete e pishina varfërisë do t’i shpallnim luftë. Sikur liderët tonë të kishin pak guxim burrash e t’i thoshin Evropës në sy se po bën lojëra duke përkëdhelur Serbinë , Malin e Zi, e Maqedoninë e po dënon shqiptarët, sikur t’u thoshin se me liberalizim vizash kriminelet nga Serbia, këta e vrasës të fëmijëve e pleqve do të shëtisin lirshëm e shqiptarët viktima do të getoizohen, Sikur ta ngitnin zërin kundër të tjerëve, sikur njëri-tjetrit, bota do të hidhte shikimin drejt Malësisë e Kosovës Lindore dhe atje do të kishte bile pak buzëqeshje e gëzime në familjet shqiptare.
Malësi lexova krejt mediat e shkruara , dëgjova krejt mediat elektronike. Liderët në Kosovë e Shqipëri kanë kohë për çdo gjë, por nuk gjejnë kohë e trimëri të flasin as për Malësinë dhe të burgosurit atje, as për Kosovën Lindore dhe djelmoshat që po rrahën e torturohen në kazamatet serbe.
Kemi liderë bajraktarë e me ta nuk ka, le bashkim , po as zë kombëtar.
Kush nuk më beson mua dhe këtyre fjalëve të mija, le t’i përcjellë me vëmendje , qoftë edhe vetëm një ditë, deklarimet e liderëve shqiptarë në mediat e shkruara e elektronike.
Rrahman Jasharaj