Pasi Akademia e Shkencave Shqiptare nuk arriti kurrë të punojë një Projekt shqiptar e të përcaktojë se çfarë është kombëtare e çka antikombëtare dhe me këtë edhe të publikoheshin e aprovoheshin kriteret e qarta të angazhimit në emër të kombit e atdheut, mbetet hapësirë që njerëz me e pa dije, me bagazh kombëtar e disa pa e pasur as edhe një poen në këtë sferë, të dalin e të publikojnë shkrime “shkencore” e komente për realitetin në Kosovë. Kjo gjendje e trashëguar nëpër dekada e shekuj e mungesës së kritereve të pranuara bëri që historia jonë të jetë e momentit dhe e shkruar në bazë të tekave e të simpative momentale. Vetëm të populli ynë lejohet që individi të dalë e të jep nota të tmerrshme për njerëz se janë të këtillë apo të atillë. Kështu disa “atdhetarë” e hedhin përdhe të kaluarën , por edhe të sotmen e Shqipërisë. Disa të tjerë e hedhin për dhe të kaluarën në Kosovë dhe gjithë angazhimet e atdhetarëve për liri. Disa të tjerë e hedhin tërësisht edhe të sotmen. Kështu shqiptarët, kudo janë, mbesin pa të kaluarën dhe pa historinë sepse ajo, sipas tyre ka nisur vetëm sot dhe me kontributin e tyre dhe të miteve të tyre. Në mungesë të Platformës kombëtare dalin “atdhetarë” e “dijetarë” dhe ndezin flakën e përçarjes në kombin tonë duke u munduar të “zbulojnë” dallime mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Këtë argat të dreqit nuk e kishin bërë dot në shekujt e kaluar atdhetarët e penat me vlerë të kombit tonë . Tani në shekullin 21 ka të tillë , që me plot gojën përmendin kombin, kurse me punët e fjalët e tyre i fusin thikën në zemër dhe duke marrë shembuj të izoluar e paraqesin Kosovën si të ishte pjesë e Arabisë a Turqisë. Këta “analfabetë” nuk kanë lexuar fare as historinë e pastër e as letërsinë popullore e të shkruar. Populli në Kosovë ende ruan me dashuri këngë për trimat që luftuan kundër pushtuesit turk në shekujt e kaluar. Duhet treguar qartë këtyre “ penave” bashkëkohore se duke sharë një besim a një tjetër nuk kontribuohet për të mirën e kombit. Nuk kontribuohet sepse nëse kombi ynë nëpër shekuj është dalluar për të mirë nga të tjerët, atëherë ajo që e ka stolisur e madhëruar është mu toleranca në piedestal mes besimeve. Çajupi e quan Bilbil të gjuhës sonë Naimin, e ky i dyti veprën më të bukur e shkroi për kryetrimin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Të marrim shembuj të mirë të festave e angazhimeve të përbashkëta të shqiptarëve e sa për ca debilë që ngritin dorë mbi vlerat e traditat e bukura të kombit, t’i injorojmë se koha do t’i hedh në fundërrina. “ Toskë e Gegë, Malësia, Jallia, janë një komb m’u da s’duron, Fund e majë një është Shqipëria, e një gjuhë ne na bashkon”, ka thënë një pendë e artë shqiptare.
Mungesa e një Projekti Shqiptar ka bërë që edhe në ditët e sotme “pena” të “ditura” të dalin publikisht dhe të emërtojnë njerëz me fjalë e terme të tmerrshme . E lexova një shkrim në forum plot sharje ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJA” . Autori , gati kishte harruar armikun e vërtetë të shqiptarëve, duke hulumtuar të gjej shprehje e fyerje të një stili që dikur përdornin mediat e qarqet serbe për shqiptarët me shumë aso terma ofenduese. Kushdo qoftë autori dhe çfarëdo titulli shkencor nëse ka, e ka tepruar dhe ia ka falë qoftëlargut. Këtë vlerësimin tim ma forcojë kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ai i kritikoi veprimet e tepruara të aktivistëve të kësaj Lëvizje, por ata i quante djemtë e Vetëvendosjes e jo me emërtime fyese si autori i shkrimit “ Lëvizja Vetëvendosja dhe “trimat “ e saj. Unë nuk e njoh autorin e këtij shkrimi të tmerrshëm, por duke ditur biografin e Jakup Krasniqit jam i sigurt se Jakupi ka qenë dhe mbetet më atdhetar e më kombëtar se ky farë autori i atij shkrimi të papjekur hiç. Të e fundit autori duhet të shëtis nëpër Kosovë dhe do të vërej se Albin Kurti gëzon respekt të lartë dhe ende nuk kam dëgjuar dikë ta ketë vlerësuar si njeri që punon për të huajt e kundër kombit tonë, madje atë e konsiderojnë shumë njerëz në të gjitha trojet tona edhe si veprimtar për bashkimin kombëtar . Sa për të Kroi i Vitakut, që e ka përmendur ky autor, po e përkujtoj se koha e luftës ka kaluar dhe atje duhet të jenë pjesëtarët e institucioneve të Kosovës dhe policia e saj dhe ajo e EULEX-it.
Jo vetëm këto shembuj që i ceka, por edhe shumë të tjerë tregojnë se në shqiptarët edhe në shkrime, por edhe në biseda të zakonshme tërë kohën e bjerrim duke u marrë me njëri-tjetrin dhe kështu e kemi harruar armikun e vërtetë. Sa e mjerë është e vërteta jonë në Kosovë. Serbët kanë punuar dhjetëra libra me rrena kundër shqiptarëve duke i paraqitur ata kriminelë. Ata edhe natën edhe ditën, edhe esëll edhe të dehur flasin, punojnë e shkruajnë kundër Kosovës e shqiptarëve. Plasojnë rrena kundër kombit e luftëtarëve të lirisë dhe i mbulojnë krimet e tmerrshme që kanë bërë ata nëpër dekada e shkuj. E ne shqiptarët? Ne vazhdojmë ta shajmë të kaluarën dhe të tashmen e Shqipërisë me gjithë personazhet e saj. Vazhdojmë të krijojmë “historinë” sipas simpative dhe tërë kohën e harxhojmë duke bërë ndarje mes shqiptarëve e duke sharë njëri-tjetrin. Armikun dhe gjithë tmerret që i ka bërë ai nëpër këto troje të zhuritura e të lara me gjak e lot kemi nisur ta harrojmë. “Mos e harrofsha anmikun”, thotë populli ynë shpesh. “Penat” e “zjarrta” nuk po kanë kohë të shkruajnë e të botojnë fakte, që janë me miliona, për krimet që kanë bërë vrasësit nga Karpatet, po janë ndalur të shajnë e të bëjnë për pesë para kombin e tyre. Për ta mjafton një ngjarje e izoluar dhe ec e priti pastaj me ato “izmat”. Shqiptarët duhet ta shikojnë njëri-tjetrin në sy e ta nderojnë e duan si vëllain se vëllezër edhe jemi. Feja e besimi janë çështje personale e secilit e gjuha e kombi u takojnë gjithë shqiptarëve.
Në fund po ua përkujtoj do penave se as nëse kanë qenë në luftë për 2 a 3 ditë apo edhe për 2 a 3 muaj, apo nëse i kanë blerë uniformat dhe i kanë bartur për t’u krekosur pas luftës, as edhe nëse kanë qenë në gjendje ta japin jetën për liri, koha nuk ua jep të drejtën të marrin shpatën e të godasin mbi njerëzit dhe kombin. Atdhetari i vërtetë nuk vepron një a dy muaj për atdheun e kombin, por është në shërbim të tyre tërë jetën dhe e mat mirë çdo fjalë, sidomos kur ajo bëhet publike.
Rrahman Jasharaj