Titulli i këngës M’ka dhân’ baci dymbëdhet vjeçe, interpretuar nga këngëtarja Liria Dedvukaj-Sinishtaj, tregon për rastet e martesave të parakohshme, që kanë ndodhur te shqiptarët, por edhe te disa popuj të tjerë arabo-aziatikë. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkaqe të nevojave ekonomiko-familjare. Zakonisht, si raste më të shpeshta kanë qenë martesat e djemve të dëshirit (hasretit), sepse për shkak të luftrave dhe sëmundjeve të shumta, prindërit kanë pasur frikë që të mos ndodhë ajo më e keqja, prandaj nguteshin të krijojnë familje dhe të kenë pasardhës. Por kjo ka ndodhur edhe për të fituar edhe një krah pune më shumë. Megjithatë, kënga në fjalë spikat fjalën e dhënë që do të thotë se që nga mosha e mitur, bile edhe në djep, është dhënë fjala (“emnue”) për martesë. Mosha dymbëdhjetë vjeçe në raste të rralla i tregonte aftësitë e pjekurisë psiko-fizike, por në të shumtën e rasteve – jo. Në kohën e sotme (shekulli XXI), kjo farë martese jo vetëm që do të ishte shenjë mbrapambeturie, por do të mund të çmohej madje edhe si një formë dhune apo edhe pedofili, gjë e papranueshme për kohën dhe shoqërinë e sotme.
Kjo këngë popullore, që është kënduar dhe ruajtur në Malësinë tonë qoftë këndej apo andej kufirit, ka karakter humoristik, satirik dhe erotik, si në melodi ashtu edhe në tekstin e këngës. Përshkruhet jeta e një femre, që nga mosha 12 vjeçare deri tek mosha e pjekurisë, të cilën babai e ka dhënë fare të mitur, pa e pyetur për vullnetin dhe pëlqimin e saj, ndonëse ajo nuk është penduar, edhe pse e përqesh burrin e keq pas të cilit e kanë dhënë.
Këngën e interpreton kryesisht një femër, e shoqëruar me instrument frymor – me fyell ose me kavall, në ambiente të ndryshme, si çobanesha me dy apo tri shoqe, jo në praninë e prindërve – për shkak të frikës dhe turpit.
Këtë këngë e përpunoi-orkestroi Luigj Dedvukaj duke i dhënë një sens (gjallëri) ritmit modern, nën vallëzimin briliant që ka këngëtarja Liria Dedvukaj-Sinishtaj dhe duke e stilizuar, gërshetuar, përpos me instrumentin e kavallit dhe zymares interpretuar nga mjeshtri Shtjefën Ujkaj edhe me çifteli, interpretuar nga Agron Pllumaj, duke e ruajtur melodinë origjinale dhe formën e të kënduarit burimor nga solistja dhe grupi i vajzave Violeta Lulgjuraj dhe Gjyste Dedvukaj. Kjo këngë kaq e gjallë ndërthuret dhe shpërthen me ritmet e kohës dhe është e adaptuar dhe tërheqëse për moshën rinore, duke i ngacmuar elementet e etnosit kombëtar të veriut.
Xhirimet e klipit u bënë në brigjet e liqenit të Shkodrës, pikërisht në Vitojën pitoreske të Hotit. Realizimi u bë nga Produksioni PM Coconut, nën regjinë e Pjetër (Bucko) Dedivanaj. Në klip aktruan, në interpretimin e vokaleve përcjellëse: Violeta Lulgjuraj, Amanda Ujkaj dhe Ena Beqaj, me kavall e zymare: Shtjefën Ujkaj, me çifteli: Luigj Dedvukaj, me bateri: Marjan Dedivanaj dhe vogëlushja e cila asocon (aludon) në fatin e fëmijës së vogël e të mitur: Nikoleta Sinishtaj.
Një falënderim i posaçëm u takon sponsorëve: pronarit të makinës oldtimer Mercedes-Benc Nojë Sinishtaj dhe të gjithë atyre që morën pjesë në organizimin dhe realizimin e këtij klipi.
Për malesia.org Luigj Dedvukaj
Kliko KËTU për ta parë video klipin