Alternativa Shqiptare e vlerëson si hap mbrapa në plotësimin e standardeve
Podgoricë – Projektligji mbi Organizimin Territorial të Malit të Zi dhe ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të Ligjit mbi Vetëqeverisjen Lokale paraqesin hapa mbrapa në plotësimin e standardeve demokratike, ka vlerësuar Alternativa Shqiptare.
Kryetari i ASH-së, Gjergj Camaj, vlerëson se barometër themelor për matjen e democracisë së një shteti përbën fakti se sa i decentralizuar është pushteti.
Ai ka thënë se në procesin e integrimeve evropiane në ASH kanë pritur që pushteti në drejtim të decentralizimit do të bëjë një hap më tej, e jo të propozojë gati të njëjtin Ligj mbi Organizimin Territorial me atë që është në fuqi “përveç pjesëve të cilat i përgjigjen interesave të ngushta politike që edhe më shumë të kontrollojnë pushtetin lokal nga qendra”.
“Asnjë shtet nuk ka problem në pjesën e organizimit të komunave të reja. Vetëm në Mal të Zi kjo përbën fantastikë shkencore dhe politizim të çështjeve që janë me rëndësi jetësore për zhvillimin e pjesëve të caktuara të Malit të Zi”, ka theksuar Camaj.
Ai ka vlerësuar se edhe shtetet më të rinj se Mali i Zi, siç është Kosova, kanë zgjidhje më të mira sa i përket formimit të komunave të reja në kuptimin e afrimit të qytetarëve qeverisjes lokale.
Camaj ka thënë se të gjithë i dinë kufijtë natyrorë të Malësisë, pa kurrfarë orvatjeje që nga kjo të krijohen histori të reja me qëllim të shmangies së temës nga esenca, dhe ka vlerësuar se komuna në kufijtë natyrorë të Malësisë është nevojë e qytetarëve, në mënyrë që kjo pjesë që edhe gjeografikisht është e ndarë me kilometra nga Kryeqyteti, të zhvillohet si pjesët e tjera të Malit të Zi.
Ai ka thënë se të gjithë e kanë të qartë se sa është plani real financiar i Komunës Urbane të Tuzit.
“Pas tre vjetëve këtë na ka thënë kryetari i Komunës Urbane. Kjo shumë është 250 mijë euro e jo plani i fryrë financiar politik i cili projektohet në letër në mënyrë që para të gjithë faktorëve të KU të paraqitet si zgjidhje e mirë”, ka thënë ai.
Camaj vlerëson se organet e KU duhet urgjentisht të japin më shumë të dhëna dhe informacione mbi mjetet financiare që vilen në territorin e KU të Tuzit. “Sipas të gjitha informacioneve, vetëm nga Tregu i Tuzit vilen më tepër se një million euro në vit, të cilat askush kurrë nuk i ka parë e as që janë investuar në këtë trevë”.
Ai i ka vlerësuar si histori për përdorim politik qëndrimet mbi arsyeshmërinë ekonomike që Malësia të bëhet komunë.
“Në vitin e krizës ekonomike as shteti nuk e arsyeton veten ekonomikisht sepse nuk mund të realizojmë buxhetin, por askush nuk mendon që ai nuk duhet të ekzistojë. Në këtë mënyrë edhe buxheti i komunës së ardhshme do të varet edhe nga situata ekonomike në vend, edhe nga ekonomia globale”, ka thënë ai.
Camaj ka theksuar se në bazë të të dhënave të ASH-së, buxheti i Komunës do të lëvizte ndërmjet 3.5-4 milionë euro, gjë që është shumë më tepër sesa që tani ndan Kryeqyteti.
“Sa i përket potencialeve, përpos disa komunave bregdetare, asnjë komunë ekzistuese nuk ka resurse më të mira, por këto resurse duhet të shfrytëzohen. Kryeqyteti nuk bën asgjë që resurset në fjalë të shfrytëzohen”, ka thënë Camaj.
Ai ka vlerësuar se ekzistojnë shumë arsye që qytetarët e Malësisë duan që fatin e vet, zhvillimin e vet ekonomik ta marrin në duart e tyre.
“Me siguri që nuk e duam komunën për të qenë të varfër. Ne jemi njerëz seriozë, dime të marrim përgjegjësi, ndërsa edhe qytetarët me votën e tyre në zgjedhjet lokale në vitin 2006, kanë treguar përcaktimin se dëshirojnë të marrin përgjegjësinë në duart e veta, përkatësisht nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur”, ka thënë ai.
Camaj ka porositur se ASH, si një prej nismëtarëve të Rezolutës së propozuar Kuvendit të KU të Tuzit mbi çështjen e komunës së plotë, do të këmbëngulë në kërkesat e saj.
“Kuvendi i KU të Tuzit është zë i qytetarëve të cilët e duan komunën e vet si të gjitha komunat në Mal të Zi në kufijtë natyrorë të cilët dihen me shekuj dhe pushteti aktual duhet të dëgjojë zërin e popullit dhe shumicës”, ka përfunduar Camaj. /kohapress/