Liri me ankth!
Kolë dhe Rrok Dedvukaj, pas vuajtjeve tre vjeçare në burgjet e Malit të Zi, arritën në gjirin e familjeve të veta në SHBA. Ata u nisën nga aeroporti i Podgoricës, nën përcjelljen dhe përkujdesjen e përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane në Podgoricë.
Nikollë Camaj
Më në fund të lirë, por, siç shprehen ata, liri me ankth, se bashkëvuajtësit e tyre ende po mplaken në burgun e Spuzhës. Kola e Rroku, e me ta edhe Pjetër Dedvukaj, vuajtën dënimin e vet me nga 3 vjet burg, dënim tejet i ashpër, nëse merret për bazë “faji” i padëshmuar, por edhe qesharak, nëse si bazë merret aktakuza për terrorizëm. Vetë aktakuza i pati, e si e tillë edhe mbeti, të gjitha atributet e akuzave të kurdisura politke, si dekada më parë, ndaj Pjetër Ivezajt. Përpos dënimeve jokompatabile me fajësinë e as me aktakuzën (për faj-tepër, për aktakuzë-pak!!!), të dënuarve për terrorizëm, në varrim të prindit, u vjen Kryetari i shtetit!!! Ku mund të ndodhë kjo!? Dihet se në raste kur dëshmohen veprimet terroriste, tjetër distancë mbahet ndaj të dënuarve. Kjo më së miri flet për atë që e kemi pohuar gjithë kohën, se kemi të bëjmë me një proces të montuar politik, me qëllim frikësimi dhe sidomos largimi të diasporës nga vendlindja, por gjithësesi edhe për të arsytuar ngecjen në realizimin e të drejtave tona.
Ne menduam se proceset e montuara politike i takonin të kaluarës, por ja se u zhgënjyem.
Ato, në Malin e Zi po vazhdojnë edhe sot! Por ndaj kujt? Kuptohet, ndaj atyre nga të cilët ky shtet nuk pati as dëmin më të vogël; ndaj atyre të cilët e deshtën dhe e duan Malësinë. Si duket, ky ishte faji kryesor i tyre. Por edhe ata u tradhëtuan. Vuajtja ka bërë që këto troje t’i duam edhe më tepër. Këtu u tradhëtuan ata që ngritën aktakuza qesharake. Si mund të quhen ndryshe ato, pasi që të gjitha u bazuan në mosveprim e jo veprim të njerëzve të arrestuar në gjumin e ëmbël të mëngjesit të 9 shtatorit 2006. Derisa ëndërronin Malësinë e ndërtuar, ashtu siç e dëshironin, ata u gjendën nën shqelmat e pjesëtarëve të njësitit special të policisë, të poshtëruar dhe të ofenduar si pakkush më parë, në sytë e bashkëfamiljarëve të vet, të fëmijëve, nënave dhe prindërve të përgjakur. Por kjo i bëri ata edhe më të fortë, më të qendrueshëm në bindjen se edhe kjo do të përfundojë. Siç kanë përfunduar edhe ato më parë! Në fund, të nënçmuar dhe të poshtëruar kanë mbetur ata që kanë kurdisur akuza të tilla dhe ata që kanë shqiptuar dënime të tilla në periudhën e kaluar, duke tentuar që fajin t’ia lënë sistemit. Jo, zotërinj të nderuar ndërgjegja nuk është sistem. Por duhet të ndodhë e kundërta, kush dëshiron të ketë vlerën më të madhe në botë; ndërgjegjen e pastër. Thuhet se gjithçka vjen në rend të ditës, herët a vonë! Por, ndodhë ndonjëherë që vije tepër vonë. Malësia mban mend veprime të ngjashme edhe më parë, ndaj njerëzve tonë të pafajshëm, por të dënuar, të nënçmuar madje edhe të pushkatuar nga gjyqet partiake. Thonë se ”e drejta vuan por nuk humbet”, e ne shpresojmë të jetë ashtu! Sidoqofoftë, proceset politike korrigjohen me vendime politike, andaj presim qe edhe ndaj këtij procesi, e edhe ndaj të dënuarve, të ndërmirren vendime të tilla.
Përndryshe, Kolë Dedvukaj do të mbetet i mbajtur mend për thënien e tij se “nuk po i dhimbëset vehtja që po kalbet në burg, por po i dhimbsen bashkëkombasit se ku e në çfarë shteti po jetojnë”. Kurse, Rrok Dedvuklaj për faktin se nuk pranoi të komunikonte as të përgjigjej në pyetjet e prokurores, sepse ajo kishte lejuar që të torturohej edhe në prezencë të saj si edhe për thënien se “nuk i kishin torturuar për atë që kishin bërë, por për atë çka janë”.
Në përcjellje, kur shkova t’u shtërngoja dorën e lamtumirës këtyre burrave, mora dhe u lashë amanete. Ata, që të mos i harrojmë shokët e tyre në burg, e unë, që vuajtja që kaluan, të mos jetë shkas që t’ua largojnë Malësinë nga zemra. Por edhe të mos e harrojnë kurrë se në skenarin dhe regjinë për këtë shfaqje djallëzore, akterë të së cilës, jo krejt rastësisht, u gjetën edhe këta dy shqiptarë e malësorë të dalluar, kanë gisht kuzhinat e shërbimeve sekrete të dëshmuara për skenarë antishqiptarë, e që krahët e veprimit të vet i kanë shtrirë edhe në diapsorë, e që shpesh dijnë të fshehen pas maskave tërheqëse, me pretendim që edhe në të ardhmen të na prishin punë! Detyrë jona mbetet që t’i dallojmë e demaskojmë ato, të dallojmë këmbën e ujkut, edhe kur është e ngjyer në miell!
(Autori është kryetarë i Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit)