Organizimi teritorial në Mal të Zi nën prizmin e dy projektligjeve aktuale

Cenim i të drejtës kushtetuese

Projektligji për Organizimin Territorial të Malit të Zi, ka të bëjë drejtpërdrejt me interesat e trevës së Malësisë, dhe në bazë të asaj se çka ofron ky Projektligj mund ta quajm lirisht edhe si Projektligj kundër Komunës së plotë të Tuzit. Është pra kjo një tentativë që Malësisë definitivisht ti merret e drejta për tu organizuar dhe per të pasur vetëqeverisjen e vet lokale ashtu sikur janë njësitë e tjera territoriale në Mal të Zi.

Таhir Tahiri

Banorëve të Malësisë, me popullsi shumicë shqiptare, po u mohohet e drejta elementare, e cila u garantohet me Kushtetutë por edhe me Konventat ndërkombëtare siç eshtë Konventa EU për vetëqeverisjen lokale të cilën e ka nënshkruar edhe Mali Zi,ku sipas saj e drejta per themelimin e njësive të reja vetëqeverisëse nuk guxon ti mohohet askujt.
Nga qarqet Qeveritare dhe individë me interesa personale madje edhe shqiptarë dëgjojmë të thuhet se Malësia nuk mund të jetë komunë si të tjerat pasi nuk i plotëson parametrat ekonomikë për të qenë e tillë!?.
Mirëpo nëse na qenkan pengesë parametrat ekonomikë për Tuzin, gjegjësisht Malësinë shtrohet pyetja, çka të bëhet me shumicën e komunave aktuale në Mal të Zi të cilat këto parametra i kanë nën atë nivel që i ka aktualisht Malësia?
Por, treguesit ekonomikë gjegjësisht burimet financiare të Malësisë janë të atillë që, me siguri do ti mundësonin kësaj trevë një zhvillim të qëndrueshëm dhe shumë e shumë më të mirë se sa aktualisht , si njësi vendore nën Podgoricë.
Siç ka thënë Prof Bogiçeviq, Malësia me origjinalitetin e vet historik, me veçantinë etnike dhe traditën, me potencialet ekonomikë,me ndërlidhjet gjeografike funksionale, me infrastrukturë mjaft të zhvilluar ,me energjinë e vet krijuese, e ne të gjithe e dimë mirë dhe do të shtoja këtu edhe diasporën tonë tejet të fuqishme e të dhënë pas vendit të vet, meriton dhe duhet të jetë Komunë autonome me të drejtat e plota dhe detyrimet që i kanë Komunat e tjera në Mal të Zi.
Por është më se e qartë se problemi nuk qendron as të parametrat dhe as te mungesa e resurseve natyrore , por dihet, qëllimet janë thjesht politike, që mos tu lejohet banorëve të Malësisë, me shumicë shqiptare që të realizojnë të drejtën e tyre për të patur Komunë siç e kanë pasur dikur por që pastaj u është hequr dhe që tentohet edhe sot që kjo e drejtë tu mohohet.
Pra kemi të bëjmë thjesht me diskriminim të shqiptarëve në Malin e Zi, kundër të cilit duhet të angazhohemi të gjithë, duke përfshirë këtu gjithë faktorin politik shqiptar, subjektet politike, deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi, shoqatat në vend apo diasporë, intelektualë etj, pa marrë parasysh interesat e ngushta partiake apo individuale.
Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi falenderon të gjithë faktorin politik shqiptar, subjektet politike shqiptare dhe individët qëllimmirë për qasjen serioze ndaj këtij problemi i cili siç e thashë cenon të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi. Është për tu vlerësuar aktiviteti i udhëheqjes së Komunës Urbane të Tuzit të cilët pareshtur kanë ngritur zërin ndaj kësaj padrejtësie të radhës duke e aktualizuar çështjen në nivelet ma të larta vendore dhe më gjerë.
Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi, që prej hedhjes së këtij projektligji në diskutim publik nga Qeveria malazeze, është angazhuar seriozisht duke e përcjellur me vëmendje problemin, dhe ka reaguar përmes mediave, si vendore ashtu dhe të huaja.
Në këtë drejtim, KNSH ka angazhuar Komisionin për Dispozita, i cili ka mbajtur disa mbledhje lidhur me Projektligjet në fjalë. Komisioni për Dispozita duke vlerësuar rëndësinë e këtij momenti është organizuar në përbërje edhe të zgjeruar duke kyçur në këtë komision përveç anëtarëve të rregullt edhe deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi, si dhe udhëheqjen e Komunës Urbane të Tuzit . Pas analizës së gjithanshme politike dhe juridike , dhe pas vërejtjeve e sygjerimeve të shumta e konstruktive të dëgjuara edhe në takimin me qytetarë të Malësisë, të mbajtur me 25.09.2009, KNSH ka përpiluar përfundimet e veta me vërejtjet konkrete e të argumentuara, cilat i janë dërguar propozuesit mbrenda afatit të caktuar.
Të mendosh se situata tani duhet përcjellur me kujdes të veçantë. Duhet parë se çfarë veprimesh do të ndërmarrë tani Qeveria ,pas kërkesave të qarta të banorëve të Malësisë dhe të gjithë faktorit shqiptar në Malin e Zi, për Komunën e plotë , të barabartë me komunat e tjera. Dhe nëse këto kërkesa hasin në vesh të shurdhër sikur ka ndodhur deri më tani dhe për shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Malin e Zi, atëherë me siguri do të duhej ndërmarrë hapa tjerë demokratikë me qëllim të aktualizimit të mëtejmë të kësaj kërkese sa legjitime aq edhe jetike për banorët e Malësisë.

(Autori është kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi)

KOMENTOJE