Patriarku serb provokon Kosovën, inagurohet në Pejë

Patriarku i ri serb Irinej ka deklaruar se Kisha ortodokse serbe do t’i ndihmojë shtetit serb që ta mbrojë Kosovën, ndërsa theksoi se inaugurimi i tij në Patrikanën e Pejës nuk do të kuptohet si provokim. Duke folur për inaugurimin e tij në krye të Kishës që do të bëhet në Patrikanën e Pejës më 25 prill, patriarku serb Irinej tha në një konferencë për shtyp se shpreson që do të ketë “vetëdije të mjaftueshme” për këtë ngjarje dhe se “vëllezërit nga Kosova do ta kuptojnë se kjo nuk është provokim, por shkuarje në shtëpinë tonë të lashtë kishtare e cila është qendër e kishës sonë”.

Gjithashtu Irinej citohet të ketë thënë edhe këtë: “Fusha e Kosovës, toka e Kosovës është ujitur me gjakun martir serb. Dhe Kosmeti na takon neve, por nuk na pengon që ta ndajmë bashkëjetesën dhe fatin me popujt që jetojnë atje”. Ndërkaq duke folur rreth përgatitjeve për inaugurimin e tij, ai tha: “Për momentin nuk ka përgatitje të veçantë. Kisha dhe Sinodi duhet të zgjidhin çështjet rreth shkuarjes në Pejë me kompetentët në Kosovë, por edhe me autoritetet tona. Shpresojmë që do të arrihet një marrëveshje që ky akt i shenjtë të kryhet si më së miri”, ka deklaruar kreu i Kishës serbe. /BalkanWeb/