Thaçi: Së shpejti shkëmbimi i ambasadorëve me Malin e Zi

“Mali i Zi dhe Kosova do të shkëmbejnë së shpejti ambasadorët, dhe ndërmjet dy vendeve nuk ka asnjë kontest”, deklaroi kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.
“Procesi i shkëmbimit të ambasadorëve do të nisë dhe besoj që kjo të bëhet së shpejti”, ka deklaraur Thaçi për mediat malazeze. Ai ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës është një lajm i mirë, jo vetëm për dy vendet, por edhe për tërë rajonin. “Për perspektivën tonë të përbashkët të integrimit në strukturat evroatlantike”. “Do të dëshiroja të shpreh respektin tim më të madh për Qeverinë malazeze për qëndrimin e saj pozitiv drejt zhvillimit të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Duke komentuar deklaratën e Presidentit malazez Filip Vujanovic se nuk do të nënshkruajë letrat kredenciale, derisa pakica malazeze të mos njihet në Kosovë, Thaçi ka thënë se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës është ndërtuar mbi parimet qytetare dhe multietnike. “Kushtetuta i siguron shansin çdo qytetari të Kosovës, pavarësisht dallimeve të tij etnike apo fetare, që ta konsiderojë shtetin e Kosovës shtëpi të veten”, është shprehur Thaçi. /Balkanweb/