Komuna si model multikonfesional

Robert Camaj

Në rendin e ditës të Këshillit për Çështje Kushtetuese dhe Ligjore të Kuvendit të Malit të Zi ndër të tjera ishte edhe shqyrtimi i Propozimit të Ligjit mbi organizimin territorial të këtij shteti.
Kjo është faza e fundit e një akti juridik para se ai t’u kalojë deputetëve për miratim.
Me këtë ligj Malësisë i mohohet e drejta e vetëqeverisjes lokale, apo thënë shqip, burrave e grave të këtij oxhaku u merret “erzi”që edhe tutje nuk mund të jenë më zot të shtëpisë, kullave, ograjave, bjeshkëve dhe maleve tona.
Por kjo as nuk na alarmon dhe siç duket as nuk na shqetëson shumë, sepse burrat dhe gratë e këtij dheu kanë rënë në gjumë dhe i janë adaptuar çdo zhurme që të mos reagojnë ndaj saj. Alarmi dhe të jetuarit nën zhurmën e tij për ta është gjendje normale e të jetuarit, në përputhje me çdo kodeks social e njerëzor.
Malësorët sikur janë të destinuar që gjumin kurrë mos ta shqetësojnë nëse digjen ograjat e përbashkëta, kurse ngrihen vetëm kur zjarri bie tek oborri i tyre.
Kjo nuk është gjendje normale e të menduarit dhe të konceptuarit as nuk është pozitë në të cilën duhet të na gjejnë situatat që krijohen e që kanë të bëjnë me të gjithë ne. Masiviteti është kushti që të shpëtojmë sundimin tonë mbi të mirat tona, dhe të masim nevojat tona me metrin që trashëguam.
E pat thënë dikur një njeri i madh i këtyre dherave se thuprat kur bashkohen vështirë thyhen apo lakohen, por ne nuk dëgjojmë njerëzit e paepshëm dhe për atë arsye jemi duke u shndërruar në xhuxhë. Malësia nuk duhet të qëndrojë indiferente ndaj arsyes më madhore që e prekë, të jesh zot i shtëpisë tënde është gjendje normale e të menduarit. Të përpiqesh ta ruash pozitën e këtillë është reagim normal dhe krejtësisht i arsyetueshëm.
Komuna e Tuzit do të kishte vëshitrësitë e veta që të themelohet dhe konsolidohet, por ama përparësi jona e padiskutueshme gjithsesi do të ishte se ne nuk jemi të futur borxh, një gjë që e kanë bërë komunat e tjera, se legjislacioni gjithsesi është më i konsoliduar dhe nuk do të lënte hapësirë për devastime të mëdha dhe të pandreqshme. Komuna jonë do të ishte një model i një komune multikonfesionale dhe multinacionale, me një traditë të mirë të besimit të ndërsjellë, ku apeli se është nevoja për të gjithë do të ishte gjithëpërfshirës.
Komuna e Malësisë do të ishte një ndërmarrje ku pronarë janë të gjithë ku profitin do ta ndanin të gjithë dhe perspektiva do të ishte e përbashkët.
Kështu kemi pronat pa pronar, malet me gjithnjë e më pak malësorë, fushën me gjithnjë e më shumë të huaj e perspektivën e zymtë se kjo trevë do të trashëgohet nga ata të cilëve iu la në trashëgim.
Komuna do të na bënte më të përgjegjshëm, qeverisja do të ishte më afër qytetarëve, iniciativa dhe kreativiteti do të vinin më tepër në shprehje, shpenzimet do të ishin më të vogla, tërësia gjeografike e Malësisë do të shikohej si një dhe e pandarë, kurse zhvillimi më i ekuilibruar. Me komunë të plotë niveli i jetesës në pjesët rurale do të rritej kurse në ato urbane të ishte më cilësor, me vetëqeverisje lokale financat do të udhëhiqeshin nga ne, do kishim mundësinë e themelimit të ndërmarrjeve dhe institucioneve të tjera që kanë për qëllim ofrimin e shërbimit qytetarëve, bashkësitë lokale do të kishin një rol më të madh.
Tuzi komunë do të kishte një rol të padiskutueshëm dhe shumë të madh, në kohën kur presim integrimet evropiane dhe në këtë mënyrë do të rritej rëndësia jonë në rrafshin politik, ekonomik e shoqëror, të domosdoshme këto që të ketë zë Malësia.
Kjo trevë pa komunë është pa peshë dhe pa zë, askush asnjë hall tonin nuk do ta marrë seriozisht, duhet t’ia kthejmë seriozitetin, peshën dhe vlerën kësaj trevë, nëse jo paçim në qafë veten tonë. /Koha Javore/

KOMENTOJE