Objektiviteti i Durham-it mbi shqiptarët
“Ky libër përbën një nga veprat më të shquara të Mary Edith Durham. Në të janë vënë në pah disa veçori të organizimeve të Ballkanit, unike për Evropën. Organizimi i shqiptarëve në formën e fisit i bëri përshtypje Durhamit sepse një gjë e tillë u ruajt vetëm në Shqipëri dhe Mal të Zi. Ajo dallohet nga albanologët e tjerë për objektivitet”, tha përkthyesi Ferit Hafizi.
Në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin, të enjten u bë përuruimi i librit të Mary Edith Durham “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”, përkthyer në gjuhën shqipe nga përkthyesi shkodran Ferit Hafizi.
Studiuesi dr. Nail Draga e cilësoi këtë vepër të Durhamit si “vepër komplekse antropologjike”.
“Kjo vepër pa dyshim paraqet një ndihmesë me vlerë të veçantë nga fusha e antropologjisë, dhe në ketë gamë është vepra kryesore e saj. Autorja trajton probleme me rëndësi jo vetëm për kulturën popullore shqiptare, por edhe atë të sllavëve, duke theksuar sidomos atë malazeze”, theksoi ai.
Për të, me përkthimin e këtij libri në shqip bëhet pasurimi i fondit të albanologjisë nga autorët e huaj.
“Edhe pse është shkruar rreth tetëdhjetë vite më parë, ky botim nuk i humb vlerat. Përkundrazi, me kalimin e kohës ato i shtohen, sepse kemi të bëjmë me elemente komplekse antopologjike të cilat nuk hasen më në kohën tonë”, tha ai.
Drejtori i Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër, Gjovalin Çuni, tha se përkthyesi Ferit Hafizi ka sjellë brenda një kohe të shkurtër katër libra me rëndësi, me karakter historik dhe fetar.
Ai tha se Hafizi është sot një nga përkthyesit e rrallë që i ka mbetur qytetit të Shkodrës, të njohur për një sërë përkthyesish që kanë lënë gjurmë në këtë fushë.
Çuni tha se Hafizi ka mbetur një njeri i sinqertë që punon shumë e promovohet pak.
Sipas tij, duhet vlerësuar punën e Hafizit për t’i sjellë lexuesit shqiptar interesimet e të huajve për shqiptarët si dhe literaturë të zgjedhur fetare.
“Ai duhet të ndihmohet, të paktën, për botimin e përkthimeve të tij. Kjo kategori intelektualësh duhet të gjejë një strehë”, tha ai.
Përkthyesi i librit, Ferit Hafizi, tha se ky libër përbën një nga veprat më të shquara të autores.
“Në libër janë vënë në pah disa veçori të organizimeve të Ballkanit, unike për Evropën”, tha ai.
Hafizi tha se organizimi i shqiptarëve në formën e fisit i bëri përshtypje Durhamit sepse një gjë e tillë u ruajt vetëm në Shqipëri dhe Mal të Zi.
“Lashtësinë e popullit shqiptar autorja e sheh në doke, zakone, bestytni etj.”, tha ai.
Hafizi tha se Durham dallohet nga albanologët e tjerë për objektivitet.
“Duke mos pasur ngarkesë politike, libri lexohet me ëndje, për dallim nga librat e mëparshëm. Ai ka rëndësi për studiues dhe është me interes po ashtu për për studentë dhe pedagogë”, theksoi ai.
Gjatë mbrëmjes përuruese përshëndetën edhe mr. Suad Ukoshata, si dhe në emër të organizatorit, kryetari i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Gani Karamanaga, dhe udhëheqësja e Bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama. /i.k. Koha Javore/