Vepra “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”, përbëhet nga tetë pjesë ku me materialin e prezantuar padyshim paraqet një arkiv në miniaturë për çështjet përkatëse. Nëse kjo vepër në botimin përbledhës të vitit 1990, ishte e prezantuar me gjithsej 91 faqe, tash ajo na vjen e plotë me 398 faqe, së bashku me bibliografinë. Andaj vetëm tash lexuesi shqiptar e ka të mundur ta lexojë ate në tërësi dhe të nxjerri gjykimet dhe përfundimet përkatëse. Kjo vepër padyshim paraqet një ndihmesë më vlerë të veçantë nga fusha e antropologjisë, dhe në ketë gamë është vepra kryesore e saj. Autorja trajton probleme më rëndësi jo vetëm për kulturën popullore shqiptare por edhe ate të sllavëve, duke theksuar sidomos ate malazeze.
Dr.Nail Draga
Botimi i veprave të ndryshme të autorëve të huaj dhe sidomos prezantimi i tyre opinionit te përkthyera në gjuhën shqipe paraqet moment të veçantë për opinionin kulturor. Sepse si e tillë ajo vepër nuk e ka më përdorimin e kufizuar të saj, por ajo bëhët pronë e të gjithë atyre që kanë shprehi dhe interesim për avancimin e çështjeve dhe njohurive përkatëse në aspektin personal dhe ate profesional. Dhe pas rënies së sistemit monist tek shqiptarët për të parën herë në shqip të plota janë duke u përkthyer vepra të autorëve të huaj të cilët si inspirim dhe çështje preokupuese kanë pasur të kaluarën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë.
Në saje të informacioneve që disponojmë del se interesimi i personaliteteve të huaja qofshin ata studiues, udhëpërshkrues apo aventurist si nga fusha e shkencës apo e kulturës për popullin tonë nuk ka munguar edhe më herët, por nuk ka dilemë së në shek.XIX dhe fillim të shek..XX u bë një kthesë e dukshme. Vetë ngjarjet e zhvilluara gjatë periudhës së lavdishme të Rilindjes Kombëtare zgjuan kureshtjen e personaliteteve të huaja për të vizituar viset shqiptare.
Nga plejada e atyre personaliteteve s’ka dilemë së vend nderi zë zonja Edith Durham(1863-1944). Ndonëse u paraqit rastësisht në ketë regjion, ajo çështjeve ballkanike në përgjithësi dhe atyre shqiptare në veçanti iu qas me një pasion e objektivitet të rrallë, duke dhënë përfundime të qëndrueshme shkencore.
Ajo, pasi në mënyrë të përafërt u njoh me popullin tonë, u bë jo vetëm një dashamire e shpirtit dhe e kulturës së tij, jo vetëm një mbledhëse e të dhënave nga fusha të ndryshme të veprimtarive shoqërore, por edhe studiuese e traditave, zakoneve dhe ngjarjeve të tij, jo vetëm një zëdhënëse e të drejtave legjitime të popullit shqiptar, por edhe një pjesëmarrëse e drejtëpëdrejtë e ngjarjeve si kroniste besnike e tyre, më një fjalë u bë luftëtare e denjë e çështjes shqiptare.
Gjatë punës së vet prej një çerek shekulli, ajo lexuesve anglezë iu pat dhuruar këto vepra:
“Nepër tokat e serbëve”(1904). “Brenga e Ballkanit”(1905), “Shqipëria e Epërme”(1909), “Lufta për Shkodrën”(1914), “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”(1920), dhe “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”(1928).
Po ashtu duhet cekur se nga kjo ka mbetur pa u botuar një lëndë e pasur siç janë ditari që e mbajti gjatë qëndrimit në Shqipëri dhe në viset e tjera të Ballkanit, pastaj dorëshkrime të ndryshme, albume, letërkëmbime etj.
Në lidhje me veprimtarinë e saj ka qenë i pakët numri i atyre që kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë dhe përdorojnë një literaturë të tillë. Këtu përjashtim bëjnë vetëm një numër i kufizuar studiuesish. Një dukuri e tillë ka qenë e pranishme në monizëm, sepse edhe kur janë cituar veprat e znj.E.Durham, ato kanë qenë të pjesshme.
Një konstatim i tillë dëshmohet në mënyrë transparente në vitin 1990, kur Shtëpia Botuese “8 Nëntori” nga Tirana botoi një botim të veçantë me titull “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët” e cila në fakt paraqiste një përmbledhje të gjashtë veprave të lartëshënuara në gjithsej prej 579 faqesh. Pra, edhe pse veprimtaria e saj ishte botuar në gjuhën angleze, para më së gjysmë shekulli, për lexuesin shqiptar mbeti e panjohur, e ç’është edhe më tragjike ndaj saj kishte njëfarë misterioziteti, madje ndonjëherë edhe paragjykime.
Në gamën e këtyre veprave përkthyesi shkodran Ferit Hafizi i ka ofruar lexuesit shqiptar dy vepra të zonjës Durham në gjuhën shqipe. E para „Lufta për Shkodrën” e botuar nga Shtëpia Botuese “Camaj-Pipa” e Shkodrës në vitin 2005 dhe “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”, botuar në vitin 2009 nga “Arbëria” e Tiranës. Nga leximi i tyre dy veprave del së kemi të bëjmë më një përkthim me përkushtim, ku veprat lexohen më endje sepse janë përdorur shprehje, terma e frazeologji që janë shprehi e një përkthyesi më përvojë.
Vepra “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”, përbëhet nga tetë pjesë ku me materialin e prezantuar padyshim paraqet një arkiv në miniaturë për çështjet përkatëse. Nëse kjo vepër në botimin përbledhës të vitit 1990, ishte e prezantuar me gjithsej 91 faqe, tash ajo na vjen e plotë me 398 faqe, së bashku me bibliografinë. Andaj vetëm tash lexuesi shqiptar e ka të mundur ta lexojë ate në tërësi dhe të nxjerri gjykimet dhe përfundimet përkatëse. Kjo vepër padyshim paraqet një ndihmesë më vlerë të veçantë nga fusha e antropologjisë, dhe në ketë gamë është vepra kryesore e saj. Autorja trajton probleme më rëndësi jo vetëm për kulturën popullore shqiptare por edhe ate të sllavëve, duke theksuar sidomos ate malazeze.
Çështjet e trajtuara kanë të bëjnë më shoqërinë tradicionale si dhe me organizimin e vjetër shoqëror, të drejtën popullore, doket, lindjet, martesat, vdekjën, tatuazhin, besëtytnitë, mjekësia popullore etj. Kjo vepër është si rezultat i punës pasionuese të autores e cila tërë materialin e ka vjelur në terren me plot vuajtje dhe sakrifica. Një material i tillë ka vlera të veçanta sepse këto të dhëna janë dëshmi e organizimit shoqëror në një mjedis të caktuar me përkatësi të ndryshme sociale dhe etnike.Të dhënat e prezantuara por edhe krahasuar me ato të popujve të tjerë në ketë regjion dëshmojnë për analizën e thellë diakronike e sinkronike të autorës e cila dëshmohet nder njohëset më të dënja etnografike për këto hapësira. Edhe kjo vepër si dhe të tjerat nga kjo autore nga aspekti i stilit kanë karakter rrëfimesh apo një gërshetim në mes publicistikës dhe eseistikës. Nuk ka dilemë se kjo vepër sjell pasuri informacioni, fakte, ngjarje dhe dukuri duke i përshkruar me besnikëri ashtu si i janë prezantuar.
Ndonëse librat e saj i dedikoheshin kryesisht lexuesve anglofonë, ata i përdorën edhe studiues të tjerë që si fushë interesimi kishin çështjen shqiptare. Një konstatim i tillë dëshmohet me të dhënën së shumë vepra u ribotuan nga disa herë dhe ate në gjuhë të ndryshme.Kështu p.sh. libri “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, që llogaritet ndër veprat e saj më të rëndësishme, pas botimit të tij në Londër më 1920, më vonë u ribotua në Nju Jork. Pastaj në gjermanisht në Shtutgart, më 1922, italisht në Firencë më 1923 e me ribotim më 1930, ndërsa në gjuhën shqipe u botua në vitin 1944, ndërsa në atdheun e saj u ribotua edhe një herë në Londër më 1970.
Me qëllime të caktuara për të nënvlerësuar krijimtarinë e saj disa pseudoshkencëtarë e quajnë atë si shqiptarofile e me epitete të tjera, nga i vetmi mëkat që “kishte” sepse ushqente simpati e
ndjenja të sinqerta ndaj popullit shqiptar, duke u vënë në mbrojtje të së vërtetës dhe të kauzës shqiptare. Sa ishte gjallë epiteteve të tilla kurr nuk iu përgjigj, përkundrazi miqësinë me popullin shqiptar e konsideronte si një fat të madh që e bënte krenare dhe të lumtur. Rrallë mund të gjenden raste analoge të një përkushtimi të tillë ndaj fateve të një populli mik. Ishin kohë të vështira të bëheshe mik i Shqipërisë e më pak avokat i çështjes së saj. Por, Durhami e shpalli ndjenjën e saj fisnike për popullin tonë në mënyrë demonstrative në tërë veprën e vet.
Ndonëse e rritur dhe e shkolluar në një mjedis tërësisht tjetër nga këto ballkanike ajo veçohej për nga karakteri dhe dinjiteti duke prezantuar të vërteten dhe drejtësinë. Dhe një veprim të tillë e ka bërë me ndërgjegje dhe guxim intelektual. Nga rrethanat e kohës nuk ka mundur të përballojë intrigat dhe prapaskenat e qarqeve shoviniste të Ballkanit ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë e aq më tepër masakrat serbe e malazeze në Veriun shqiptar. Pasi ishte dëshmitare okulare gjen formën e saj të protestës duke ia kthyer mbrapsht dekoratat e mbretit Nikolla të Malit të Zi.
Edhe pse veprimtaria e Durhamit nuk iu kushtua luftërave dhe konflikteve ballkanike ajo në siujdhesën tonë nuk kishte ardhur si një misionare e luftënxitjes, siç kishin ardhur shumë të tjerë para e pas saj. Por, ajo me tërë veprimtarinë e saj predikoj mirëqenien e popujve të kësaj hapësire, zbuloi pikat e tyre të takimit dhe ishte këmbëngulëse për mospërzierjen e të huajve në ketë rajon. Prandaj, emri dhe vepra e saj kurdoherë do të evokohen me respekt e homazhe të thella.
Dhe në fund nuk ka dilemë se me botimin e kësaj vepre në shqip bëhët pasurimi i fondit të albanologjisë nga autorët e huaj. Edhe pse është shkruar rreth tetëdhjetë vite më parë, ky botim nuk i humb vlerat, është e kundërta sepse me kalimin e kohës ato i shtohen, sepse kemi të bëjmë me elemente komplekse antropologjike të cilat nuk hasen më në kohën tonë.
Andaj si e tillë kjo vepër do të lexohet me endje dhe do të paraqesë inspirim për çdo përdorues pa marrë parasysh fahun profesional, ndërsa do të jetë referencë e domosdoshme antropologjike për studiuesit. /Koha Javore/